Ribashkimet emocionale të familjeve me pengjet

Ata nuk e mendojnë rikthimin në komunitetet e bombarduara nga Hamasi në sulmin e 7 Tetorit

Pas 50 ditësh në robërinë e Hamasit në Gaza, 85-vjeçarja Yaffa Adar u ribashkua me familjen e saj në Izrael.

Në gjendje jo të mirë fizike takimi ishte plotë emocione ndërsa shpresat e familjes ishin shuar pasi dyshonin se ajo ishte vrarë nga militantët e Hamasit.

Adar u kap nga shtëpia e saj në kibuc Nir Oz më 7 Tetor, kur një mori militantësh të Hamasit bombarduan komunitetin. Dhjetra u rrëmbyen nga komuniteti bujqësor dhe Yaffa ishte një prej tyre.

Menjëherë pas rrëmbimit, një video që qarkulloi në mediat sociale tregonte Adarin e cila ishte futur në një karrocë nga militantët. Adar, familja e të cilit nuk kishte dëgjuar më për të që nga 7 Tetori ishte pjesë e grupit të parë të pengjeve izraelitë të liruar nga robëria e Hamasit sipas një marrëveshje armëpushimi Izrael-Hamas.

Mbesa e Adarit, Adva Adar, e cila takoi gjyshen e saj pas kthimit të saj në Izrael, shprehet se emocioni është i madh, por frika mbetet teksa një tjetër i afërm i saj mbahet peng.

“Rikuperimi i saj do të jetë i vështirë. Por ajo është një luftarake dhe dëshiron që të lirohen të gjitha pengjet. Gjendja e saj shëndetësore është jo e mirë. Gjatë takimit gjithnjë tregonte se mendonte shumë për familjen dhe se kjo e ndihmoi të mbijetonte. Ajo tani po përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh këtu dhe po mendon edhe për shumë miq dhe fqinjë që kanë vdekur rrëmbyer nga kibuci kryesisht për Tamirin, nipin e saj të madh, i cili gjithashtu është një peng.”

Yaffa Adar nuk do të jetë në gjendje të kthehet në shtëpinë e saj, pasi pjesë të mëdha të kibucit u shkatërruan nga Hamasi. Familja tani po diskuton se cili do të ishte vendi më i mirë për të që të jetonte e sigurt.

“Shtëpia e saj nuk është një opsion, pasi i gjithë kibuci është djegur dhe shkatërruar dhe askush nuk jeton atje. Kështu që ajo duhet të fillojë jetën nga e para dhe ajo po mendon se cili është vendi më i mirë për të që do t’i japë asaj ndjenjën e sigurisë.”

Ndërkaq në grupin e dytë të pengjeve të liruara ishin Sharon Avigdori dhe vajza e saj Noam nga Kibbutz Be’eri, të cilët u rrëmbyen nga persona të armatosur të Hamasit më 7 Tetor.

Ribashkimi ishte tepër emocional kur Sharon u takua me bashkëshortin, djalin e Omer dhe të afërm të tjerë të cilët i prisnin në Qendrën Mjekësore Sheba në Ramat Gan. Sharon dhe Noam u liruan së bashku me 13 pengje izraelite dhe katër shtetas të huaj.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share