BANORËVE AFËR VATRËS SË ZJARRIT U ËSHTË REKOMANDUAR QË TË MOS DALIN NGA SHTËPITË
Zjarri ka kapluar një fabrikë për ngjyra dhe llaqe afër fshatit Falishë të Tetovës, njofton KlanM. Në vendngjarje janë zjarrfikësit e Tetovës të ndihmuar nga kolegët e tyre nga Shkupi, Gostivari, Velesi dhe Kumanova.
Qytetarëve që janë afër vatrës së zjarrit, sic njofton KlanM, u është rekomanduar që t`i mbyllin dritaret dhe të mos qëndrojnë në ambiente të hapura.
Situata është alarmante, thonë zjarrfikësit e Tetovës, pasi në depotë e kësaj fabrike ka materiale kimike që mund të dëmtojnë ambientin.
‘I bëj apel Ministrisë së Mjedisit që të bëj matjen e ndotjes së ajrit sepse e dyta herë që ndodh një zjarr i tille në Tetovë, mirëpo asnjëherë nuk janë marrë masa për matjen e ajrit. Përpjekjet tona janë që ta lokalizojme zjarrin, materialet që ka poseduar brenda depos janë materiale djegëse të përmasave të mëdhaja, bëhet fjalë për materiale kimike, lloj lloj ngjyrash dhe gjithçka që mbajnë këto deponi në qytetin e Tetovës” – tha Avni Ameti, NJTKZ – Tetovë.
Në vendngjarje, sic njofton KlanM, kanë dalë edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza që koordinojnë shuarjen e zjarrit. Është kërkuar ndihmë edhe nga firma private të Gostivarit që të ndihmojnë me makineritë e tyre, për të mënjanuar materialet nga depotë që nuk janë kapur nga zjarri.
QMK-ja ka bërë përpjekje që në ndihmë të vijë edhe një helikopter I MPB-së, por kushtet klimatike dhe mjegulla e dendur nuk lejojnë shuarjen e zjarrit nga ajri. /KlanMacedonia/