Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme përcaktoi Projektbuxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, përcjell KlanM.
Propozim Buxheti për vitin 2024, siç thuhet në kumtesën e qeverisë, është bërë sipas nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
“Qëllimi është mbështetja e rritjes ekonomike, qëndrueshmëria fiskale dhe pagesa e rregullt e të gjitha detyrimeve të buxhetit të shtetit – paga më të larta, pensione, të drejta sociale, mbështetje për fermerët, ndërmarrjet, konsolidimi fiskal, përballimi i pasojave të krizës ekonomike globale. U vlerësua se Buxheti është bazë e mirë për rritjen dhe përshpejtimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, tërheqjen e investimeve të huaja, inovacionin e kompanive vendore, mbështetjen e ekonomisë vendase, sektorit privat dhe qytetarëve, intensifikimin e afrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në, realizimin pa probleme të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO, zbatimin pa probleme të aktiviteteve zgjedhore të ardhshme”, thuhet më tej në njoftim.
Projektbuxheti i miratuar për vitin 2024 do të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për procedurat e mëtejme./KlanMacedonia