TRANSFEROHEN NË EGJIPT – NGA KAJRO PRITET TË MBËRRIJNË NË VEND
Nga Rripi i Gazës, me sukses janë evakuar dy shtetasit e fundit të Maqedonisë së Veriut – ka njoftuar Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Bëhet fjalë për një çift bashkëshortor, të cilët nga Gaza janë transferuar në territorin e Egjiptit, kurse nga Kajro pritet të mbërrijnë në vendin tonë.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohje të veçantë për angazhimin dhe profesionalizmin e u.d. ambasadorë në Tel Aviv dhe Kajro, Maçej Kaçorovski dhe Elma Altorok, të cilët bënë përpjekje të jashtëzakonshme në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit si dhe me qytetarët tanë” – ka shkruar në Facebook, Ministri Osmani.
Para dy javëve nga Gaza në Kajro ishin evakuar tre shtetas të Maqedonisë së Veriut – babai me dy fëmijët, kurse bashkë me ta edhe nëna e tyre – shtetase e Palestinës.
Familja katëranëtarëshe mbërriti në vendin tonë më 5 nëntor, kurse për misionin e suksesshëm, Ministri Osmani, falënderoi ambasadat e Maqedonisë së Veriut në Kajro dhe Tel Aviv./KlanMacedonia