Spitalet kryesore të Gazës ndërpresin punën

OBSH  e shqetësuar për sigurinë e stafit dhe pacientëve, ndërpriten bisedimet për lirimin e pengjeve

Mjekët e urgjencës së spitalit Al-Quds të Gazës përdorën dritën e një llampe me bateri për të trajtuar një të plagosur. Për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të aviacionit izraelit, mungesë së karburantit dhe ilaçeve dy spitalet më të mëdha të enklavës palestineze, Al Shifa dhe Al-Quds, njoftuan pezullimin e punës të dielën.

“Djali im u plagos dhe nuk kishte asnjë spital të vetëm ku mund ta çoja që të bënte një qepje. E gjithë bota na ka zhgënjyer, bota e zhvilluar që mburret me të drejtat e njeriut na ka zhgënjyer,” thotë Ahmed Al-Kahlout, i cili po ikte në jug në përputhje urdhrat izraelite.

Një kirurg plastik në spitalin al Shifa tha se bombardimi i ndërtesës ku ndodhen inkubatorët i detyroi të vendosin foshnjat e lindura para kohe në shtretër të zakonshëm, duke përdorur më pak energji për ngrohje.

“Ne e dimë se kjo është shumë e rrezikshme. Presim të humbasim shumë prej tyre dita ditës,” tha Dr Ahmed El Mokhallalati.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Ashraf Al-Qidra, tha gjithashtu se zjarri izraelit “po terrorizon personelin mjekësor dhe civil” brenda spitalit. Zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari, tha më herët se ushtria do të ndihmojë në evakuimin e foshnjave nga spitali al Shifa. Por nga 45 foshnja gjithsej në spital, tre tashmë kanë vdekur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se spitalit i ishte ofruar karburant, por e kishte refuzuar atë, pa dhënë hollësi.

Për shkak të bombardimit të vazhdueshëm të spitaleve, të dielën, një zyrtar palestinez informoi se bisedimet për lirimin e pengjeve mes Hamasit, CIA-s dhe Mosadit u pezulluan.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kishte humbur kontaktin me spitalin al-Shifa dhe ishte e shqetësuar për sigurinë e stafit mjekësore dhe njerëzve të bllokuar atje. Ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se spitali Al-Quds është gjithashtu jashtë shërbimit.

Ushtria izraelite publikoi të tjera video të operacionit të saj tokësor në Rripin e Gazës, ku fokusi kryesor është shkatërrimi i infrastrukturës dhe i tuneleve të Hamasit.

Për shkak të këtij operacioni, qindra e mijëra të zhvendosur dhe të plagosur palestinezë u duhet të ecin për disa orë nga veriu në jug, ku Izraeli thotë se është i sigurt.

Por në terren nuk rezulton kështu. Këtu në jug, pas një sulm izraelit mbi Khan Younis që la disa vetë të vdekur të dielën (12 Nëntor), pas një bombardimi të mëparshëm që vrau 13 vetë. Njerëzit nxituan në spitalin Nasser. Zyrtarët palestinezë thanë se deri të premten të paktën 11,078 banorë të Gazës janë vrarë nga sulmet ajrore dhe të artilerisë, rreth 40% e tyre fëmijë.

Me përkeqësimin e situatës humanitare në të gjithë Gazën, sëmundjet infektive po përhapen në mesin e të evakuuarve që kanë mbushur shkolla dhe vendstrehime të tjera në jug të Gazës dhe që mbijetojnë me sasi të vogla ushqimi dhe uji.

Konflikti i Gazës ka rindezur konfliktin në kufirin verior të Izraelit me Libanin. Grupi Hezbollah, i cili si Hamasi mbështetet nga Irani, tha se sulmoi trupat e ushtrisë izraelite pranë kazermës Dovev të dielën, duke shkaktuar disa viktima.

Ushtria izraelite tha më herët se raketat antitank të lëshuara nga militantët kishin goditur një numër civilësh dhe shtoi se po hakmerrej me zjarr artilerie.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share