Një fermer australian e ndien veten me fat që i ka mbijetuar sulmit të një krokodili pasi kafshoi zvarranikun.
Blegtori Colin Deveraux kaloi një muaj në spital pasi u kafshua nga një krokodil 3.2 metra i gjatë në Northern Territory. Në deklaratën e tij për ABC News, ai u shpreh se gjatë përleshjes i kishte kafshuar krokodilit qepallën e syrit.
Deveraux tha se ngjarja ndodhi muajin e shkuar gjatë një udhëtimi të tij për të ngritur një gardh në atë vend. Ai ndaloi pranë një liqeni sepse vuri re që peshqit po notonin në mes të tij. Në momentin që po largohej, krokodili iu “vërsul” këmbës së tij duke e shkundur si “kukull lecke” dhe më pas e tërhoqi në ujë.
Në fillim, Deveraux provoi ta godiste zvarranikun në brinjë me këmbën tjetër përpara se ta kafshonte.
“Isha në një pozicion të çuditshëm… por aksidentalisht dhëmbët e mi u ngulën në qepallën e tij. Ishte shumë e trashë, si lëkurë por e kafshova dhe më lëshoi. U largova me hapa të mëdhenj drejt vendit ku ndodhej makina ime. Ai më ndoqi për pak, rreth 4 metra, por më pas ndaloi”.
Deveraux përdori një peshqir dhe një litar për të ndaluar gjakderdhjen përpara se vëllai i tij ta dërgonte për në spital, rreth 130 km larg.
“Nëse krokodili do më kishte kafshuar diku tjetër,do të kishte qenë ndryshe. Do të thotë se më duhet të ndryshoj punën që bëj. Jam endur gjatë në atë vend moçalor duke u përpjekur të rregulloj gardhet dhe të jetoj, por më janë hapur sytë”, u shpreh fermeri.
Sipas qeverisë lokale, krokodilët janë baza e një industrie të rëndësishme në Northern Territory dhe mbrohen me ligj. Ata konsiderohen me interes të lartë shkencor e njerëzor si dhe janë një atraksion për turistët./tvklan.al