PENDAROVSKI: AVOKATI I POPULLIT MUND TË INICOJË PROCEDURË PENALE NË PROKURORI
Video xhirimet e sigurara nga Burgu i Idrizovës dëshmojnë se ka pasur shkelje të të drejtave e të burgosurve, deklaroi Avokati i Popullit Naser Ziberi. Ai shtoi se të dhënat janë përpunuar dhe se policia ka tejkaluar kompetencat. Ky konstatim vjen dy javë pas aksionit policor në Burgun e Idrizovës ku mbetën të lënduar rëndë disa prej burgosurve.
“Ka përfunduar procesi i përpunimit të regjistrimeve të videove që i kemi marrë. Raportin do ta dorëzojmë, për fat të keq ka elemente të shkeljes së të drejtave. Në aspektin e tejkalimit të kompetencave nga ana e anëtarëve të MPB-së”, tha Naser Ziberi, Avokati i Popullit.
Presidenti Stevo Pendarovski tha se Avokati i Popullit është zëri i qytetarëve që përmes tij mund të inicohen procedura penale përkatëse në prokurori.
“Avokati i Popullit, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të qytetarëve të garantuara me kushtetutë, mund të iniciojë procedurë penale përkatëse në prokurori nëse gjatë kryerjes së funksionit mbikëqyrës vlerëson se ka bazë për të dyshuar se është kryer një krim nga institucioneve apo përfaqësuesve të tyre”, tha Stevo Pendarovski.
Ndryshe javë më parë të burgosurit në Idrizovë janë rrahur brutalisht dhe nuk u kanë lejuar që t’iu jepet ndihmë mjekësore. E gjithë kjo ndodhi pas aksionit të policisë të cilët kanë konfiskuar 63 telefona, 82 thika, 71 mbushës për telefona dhe drogë./KlanMacedonia