Familjet që humbën të dashurit e tyre kërkojnë nga Kongresi një rishikim të ligjit për armët
Familjet në Maine të cilët humbën të dashurit e tyre nga sulmi tragjik po përballen gjithashtu me pyetje pa përgjigje se cili mund të jetë shkaku që rezervisti i Ushtrisë Amerikane kreu masakrën.
Trupi i Robert Card, 40 vjeç, u gjet nga policia brenda një rimorkioje rreth 10 milje nga Lewiston, ku 18 njerëz u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën në të shtënat në një pistë bowling dhe një restorant të Mërkurën.
Banorët tanimë ndihen të lehtësuar pasi agresori vrau veten, por edhe të pikëlluar për ngjarjen tragjike.
“Është përzierje ndjenjash. Lehtësim që ai ka vdekur, por edhe keqardhje për të gjithë ata që humbën jetën nga ky akt tragjik. Frika ende mbetet se rasti mos përsëritet.”
Qindra njerëz në Lewiston ndezën qirinj dhe kërkuan që ligji për armët të rishikohet.
“Në përgjithësi shikoj që njerëzit vuajnë nga depresioni. Armët e zjarrit patjetër duhet t’i ishin hequr. Duhet të ishin bërë më shumë përpjekje për këtë. Unë besoj se aktet të tilla lidhen më së shumti me problemet mendore, por mbi të gjitha vrasjet janë një dështim i plotë i sistemit tonë.”
Autoritetet janë ende duke punuar për të zbuluar se çfarë e motivoi agresorin. Policia gjeti një shënim që i dyshuari i kishte lënë familjes së tij që thoshte se ai nuk do të ishte aty pranë duke lënë të kuptohet se ai do të vriste veten.
18 personat e vrarë varionin nga mosha 14 deri në 76 vjeç. Hetuesit ekzekutuan një urdhër kontrolli të Enjten në shtëpinë e Card, duke kërkuar kompjuterë, shënime, armë dhe çdo provë që mund të tregonte një plan për të kryer sulmin. Familja e Card ka qenë bashkëpunuese me hetuesit dhe ndihma e tyre ishte e domosdoshme në identifikimin e sulmuesit, por ata kanë marrë kërcënime për shkak të sulmit.
Klan News