Girona tremb pretendentët për titullin kampion

Skuadra katalanase me sulmin më të mirë në La Liga, çalon në mbrojtje

Zhirona është padyshim sensacioni i këtij sezoni në La Liga. Skuadra e Michel Sanchez i ka befasuar të gjithë, madje edhe ekipet më të mira në elitën e futbollit spanjoll. Pas 10 takimeve të para, Zhirona qëndron në krye të kampionatit me pikë të barabarta me Real Madrid, kundërshtari i vetëm që i ka shkaktuar humbje në këtë sezon. Këto takime kanë mjaftuar për të thyer disa rekorde. Zhirona ka sulmin më efikas të kampionatit me 24 gola të shënuar, praktikisht 2.4 realizime në çdo takim, prodhimtari për tu pasur zili edhe nga Real Madrid, Barcelona apo dhe Atletico e Madridit që ka një gol më pak se ta.

Skuadra katalanase në fakt ka barazuar rekordin e sezonit 1940-1941, që është edhe numri më i lartë i golave në tre divizionet më të mira të futbollit spanjoll. Artem Dovbyk është golashënuesi më i mirë i skuadrës me 5 gola, për tu renditur në vendin e tretë në garën për goleadorë. Sulmuesi ukrainas po luan sezonin e tij të parë në Spanjë, pasi u ble për 7 milionë Euro dhe u bë lojtari më i shtrenjtë në historinë e Zhironës. Defekti i kësaj skuadre deri më tani është mbrojtja, pasi ka pësuar 13 gola dhe gjendet mes ekipeve më të dobëta të kampionatit. Ëndrra Europiane është ndezur tashmë, tek Zhirona shpresojnë që kjo ecuri të vazhdojë edhe në takimet e radhës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share