Bayern Munich absolut në grupet e Champions

Coman shënon në edicionin e shtatë radhazi, Inter mposht Salzburgun, prek kualifikimin

Bayern Munich hodhi një hap të madh drejt raundit tjetër të Champions League. Gjermanët fituan edhe takimin e tretë në grup, këtë herë 3-1 në transfertën turke ndaj Gallatasaraj. Koman ishte ai që zhbllokoi takimin pas një aksioni model të shokëve të skuadrës. Francezi shënon në edicionin e shtatë radhazi në këtë kompeticion, për tu bërë i katërti futbollist që po e bën një gjë të tillë, pas Lewandowski, Grizman dhe Mbape. Gallatasaraj vendosi ekuilibrat me anë të Mauro Icardit.

Argjentinasi u tregua i ftohtë nga pika e bardhë e penalltisë duke ekzekutuar saktë me Panenka, për t’i dërguar skuadrat në pushimin mes pjesëve në barazim. Në fraksionin e dytë të lojës, Musjala mori të gjithë vëmendjen. Fillimisht, talenti gjerman shërbeu për Herri Kejn për të kaluar në avantazh bavarezët. Ndërkaq, tek goli i tretë Musjala mori pas reston, me Kejn që dhuroi asistin për të për të vulosur kështu fitoren e gjermanëve. E treta në grupin A, me Bayern Munich që udhëheq me 9 pikë të plota.

Fitore koleksionuan edhe nënkampionët e kompeticionit, Interi. Zikaltërit vijojnë formën e mirë edhe në Europë, teksa regjistruan takimin e pestë pa humbje. Inter iu imponua maksimalisht 2-1 Salzburgut për të shënuar kështu fitoren e dytë në grupin D. Aleksis Sançez kaloi në epërsi italianët, ndërsa shkruan edhe emrin në librat e historisë. Sulmuesi shënoi golin e 16-të në Ligën e Kampionëve, për të qenë kilieni më rezultativ në këtë kompeticion, duke kaluar Arturo Vidal. Austriakët u përpoqën të reagojnë dhe ia dolën, pasi Glouk shënoi për 1-1, gjithsesi, Inter kaloi sërish në epërsi. Hakan Çalhanollu realizoi saktë nga 11 metërshi golin e fitores, për ta ngjitur Interin në kuotën e 7 pikëve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share