Dy ushtarë shqiptarë kanë humbur jetën gjatë luftimeve në Ukrainë. Lajmin e hidhur e bën të ditur deputeti i PS Pandeli Majko i cili ka postuar në Facebook-un e tij fotot e dy të rinjve dhe ceremonive mortore që u mbajtën në Zaporozhia.
“Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë, Omarov Shakhin, sapo më shkruajti për një lajm të hidhur. Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga rradhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj. Ata ishin: Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi. Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias).
Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni. Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit. Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonitë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre. Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre!”, shkruan Majko./tvklan.al