Izraeli godet qindra zona në Gaza

Borrell: Bëjmë thirrje për një pauzë humanitare dhe shtimin e ndihmave, lufta ka gjasa të zgjasë më shumë se dy muaj

Më shumë se 300 objektiva janë shkatërruar në Rripin e Gazës nga ushtria izraelite. Sulmet më intensive ajrore ishin rreth spitalit Al-Quds në qytetin e Gazës – ku për herë të tretë, njerëzit të cilët ishin strehuar aty filluan të evakuoheshin. Më shumë se 60 palestinezë mbetën të vrarë nga sulmet duke e çuar numrin e atyre që kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në mbi 400. Bilanci i të vdekurve në Rripin e Gazës sa vjen e rritet dhe po i afrohet 5 mijëshit. Sipas organizatave të ndihmës një fëmijë vritet çdo 15 minuta në bombardimet izraelite në Gaza.

Ushtria izraelite ka deklaruar se avionët luftarakë goditën dy celula terroriste të Hezbollahut brenda Libanit që po planifikonin të lëshonin raketa antitank drejt territorit izraelit. Një përshkallëzim në përleshjet midis Hezbollahut dhe forcave izraelite po ngre frikën për një konflikt më të gjerë. E shtuna shënoi ditën më të keqe në luftimet e fundit përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin, pasi gjashtë luftëtarë të Hezbollahut u vranë.

Një kolonë e dytë humanitare e përbërë nga 14 kamionë që transportonin ndihma u lejua të hynte në Gaza, ndërsa OKB e cilësoi sërish “një fije e vogël shprese”. Rreth 35 kamionë kanë hyrë në Gaza në dy ditët e fundit kjo konsiderohet më pak se 8% e nevojës ditore të palestinezëve. Spitalet, e mbushura me pacientë dhe me persona të shpërngulur, po mbesin pa ilaçe dhe pa karburant për gjeneratorë.

Udhëheqësit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë sërish bën thirrje të përbashkët për të përsëritur mbështetjen e tyre për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit, por theksuan “respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar”. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell ka bërë thirrje për pauzë humanitare

“Në Kajro, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri një thirrje urgjente për të lejuar hyrjen e ndihma humanitare. Në kohë normale pa luftë, 100 kamionë hynin në Gaza çdo ditë pra, 20 kamionë nuk mjaftojnë. Kërkojmë një pauzë humanitare, e cila është gjithashtu e nevojshme edhe për kthimin e pengjeve. Sulmet me raketa duhet të ndalen dhe ne duhet të fillojmë të mendojmë procesin e paqes”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka deklaruar se lufta mund të zgjasë dy deri në tre muaj, duke u zotuar se “pasi të përfundojë ajo, nuk do të ketë më Hamas. Një pushtim tokësor i Rripit të Gazës nga Ushtria e Izraelit mund të jetë i pashmangshëm. Ndërkaq edhe ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, ka paralajmëruar sërish Izraelin se Lindja e Mesme mund të dalë jashtë kontrollit nëse nuk ndalon sulmet në Gaza.

Edhe në Bregun Perëndimor, dhjetëra palestinezë janë vrarë në përleshje me trupat izraelite. Bastisjet vazhdojnë me dhjetëra të arrestuar, sipas autoriteteve. Të paktën 120 palestinezë, përfshirë 40 punëtorë nga Gaza, u arrestuan në të gjithë Bregun Perëndimor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share