Mes 21 viktimave të aksidentit të autobusit në Mestre të Italisë ishte edhe drejtuesi i mjetit.
Mediat italiane shkruajnë se shoferi i autobusit ishte një 40-vjeçar i identifikuar me emrin Alberto Rizzotto me origjinë nga Treviso. Ai ishte punonjës i “Martini Bus srl” që kishte marrë automjetin tek kompania “La Linea”, e cila kishte kontratën për transportin e turistëve nga kampingu për në Venecia.
Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë humbja e vetëdijes së shoferit për shkak të ndonjë sëmundje. Shoferi ishte ekspert me të paktën 6-7 vite eksperiencë në drejtimin e autobusit. Nga dëshmitë e para, mësohet se mjeti nuk ka qenë duke ecur me shpejtësi.
“Anije për në Venecia”, ishte postimi i fundit i shoferit 40-vjeçar në Facebook.
Pas përhapjes së lajmit tragjik për aksidentin, në postimin e tij, njerëzit e kanë pyetur nëse ishte mirë, por kanë mbetur pa përgjigje pasi aksidenti ka rezultuar fatal për shoferin.
Kolegët e tij janë shprehur të tronditur për mediat italine duke e përshkruar atë si një ekspert dhe shofer me eksperiencë.