Video| Dasma e tyre u kthye në tragjedi, flet dhëndri: Jemi të vdekur përbrenda, duam të ikim

Secili prej tyre humbi dhjetëra nga të afërmit, në ditën që supozohej të ishte më e bukura. Revan 27-vjeç dhe Haneen 18-vjeç janë çifti i sapomartuar i cili i mbijetoi zjarrit të tmerrshëm në sallën e dasmave në Qaraqosh të Irakut Verior.


Ngjarja tragjike ndodhi të Martën e kaluar, ku prej zjarrit humbën jetën mbi 100 dasmorë. Në një intervistë për Sky News, dy të rinjtë shprehen se “kanë vdekur përbrenda” dhe duan të largohen sa më shpejt nga Iraku pasi dhe shumë njerëz atje i fajësojnë për atë që ka ndodhur.

Revan humbi 15 prej të afërmve, përfshirë dhe nënën. Haneen përjetoi humbjen e 10 prej të afërmve, mes tyre vëllain dhe nënën, ndërsa i ati i saj ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Të dy duken në gjendje shumë të vështirë emocionale, ndërsa Revan shton: “Është e vërtetë që ne jemi ulur këtu përballë jush, të gjallë. Por përbrenda jemi të vdekur, të mpirë. Nusja ime ka humbur gjithë njerëzit më të afërt, nuk flet dot më.”

Mësohet se zjarri ka nisur prej fishekzjarrëve brenda sallës, megjithëse dhëndri ka një tjetër hipotezë që lidhet me tavanin e ndërtesës.

Ne e ndjemë nxehtësinë, më pas pashë gjithë tavanin të shkrihej. Ndodhi në pak sekonda”, rrëfen i riu. Ai arriti të dalë nga salla shëndosh e mirë, duke ndihmuar dhe Haneen e cila kishte vështirësi me fustanin madhështor të nusërisë.

Ky zjarr, siç shprehen ata u ka shkatërruar lumturinë, e për ta rikthyer do duhet me siguri një kohë shumë e gjatë.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, por në media ka qarkulluar videoja që tregon se fishekzjarret i vunë flakën llambadarit qendror./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share