Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës i filloi punimet Java e veçantë studimore 2023, me temë: “Biodiversiteti dhe diversiteti kulturor – Diversiteti si metodë hulumtimi e reflektimi”, që organizohet në bashkëpunim me Shoqatën “Arsimi” nga Zvicra. Në hapjen e punimeve të kësaj veprimtarie, të pranishmëve në auditor me fjalë përshëndetëse iu drejtua Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili tha se organizimet e këtij lloji dëshmojnë qartë angazhimin e Universitetit të Tetovës në realizimin e nismave dhe projekteve me interes mësimor, shkencor, shoqëror e kulturor. “Si projekt i një rëndësie të veçantë për studentët dhe pedagogët, kjo Javë e veçantë studimore përveç të tjerave ka për qëllim zhvillimin dhe zgjerimin e kompetencës interkulturore dhe transkulturore të mësimdhënësve të ardhshëm, pra kuadrove të reja që do të dalin prej auditorëve të Universitetit tonë dhe realizimi i saj përkon pikërisht me fillimin e vitit akademik 2023/24, dita kur dyert e Universitetit janë të hapura për të mirëpritur profesionistët e së ardhmes. Në epokën tonë, shkenca ka bërë detyrën e saj, ajo ka shënuar suksese të paimagjinueshme, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimet shoqërore, si në përparimin ekonomik, kulturor dhe teknik e teknologji”, tha mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Memeti, e shpalosi konceptin e këtij projekti, temat që do të trajtohen gjatë kësaj jave, ku pjesëmarrësit do ta hulumtojnë biodiversitetin dhe interkulturalitetin, respektivisht karakteristikat gjeografike, historike, entopsikologjike, linguistike, folklorike, fetare e socio-kulturore të vendbanimeve e të banorëve të një pjese të Malësisë së Sharrit.
”Studim-hulumtimet do t’i bëjmë nëpërmjet ekskursionit me karakter studiues, vëzhgimeve, bisedave, dialogut, përjetimeve, vetëstudimeve, vetëhulumtimeve, vetëpërcaktimeve dhe krahasimeve, duke përdorur metodën DIVERSITY, si metodë hulumtimi dhe reflektimi. Duke e pasur parasysh këtë, ne do të realizojmë vizita studimore në fshatrat Xhermë, Llacë, Sellcë, Vicë, Gajre, Lisec, Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Sot, pas hapjes solemne të JVS, do të njihemi me diversitetin si metodë hulumtimi dhe reflektimi duke u ndalur në tiparet e diversitetit, privilegjet dhe disfavoret, si dhe format e diskriminimit”, theksoi mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Memeti.
Koordinatori i Javës së veçantë studimore, përfaqësuesi i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra Doc. Dr. Mahir Mustafa tha se qëllimi kryesor është që të studentët dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë, në cilësi të ndryshme dhe shumë aktive të njihen me metodën e diversitetit si metodë hulumtimi dhe reflektimi. “Nuk mjafton për njeriun vetëm të sheh, të dëgjojë, të jetojë, të shijojë por pas gjithë këtyre gjërave i duhet edhe të reflektojë. Të reflektojë që të kuptojë çka ka parë, pse e ka parë, si e ka parë dhe si është sjellë dhe në çfarë raporti ka qenë mbi një gjë të cilën e ka parë dhe e ka shijuar. Qëllimi i Javës së veçantë për sa u përket studentëve, mësuesve të ardhshëm është që tek ata të krijohet, të zhvillohet, të zgjerohet dhe të thellohet kompetenca interkulturore, ose siç e quajmë ne në shprehjet profesionale, kompetenca transkulturore. Ne nuk do të bëjmë ligjërata të zakonshme në ambientet e Universitetit, por me studentët në cilësinë e studiuesve do të dalim jashtë ambienteve të Universitetit dhe do të shkojmë nëpër fshatra dhe do të njihemi me karakteristikat socio-kulturore të fshatrave të Malësisë së Sharrit, dhe pastaj ato do t’i sjellim të premten në panair, në Tetovë, në oborr të Universitetit”, u shpreh Doc. Dr. Mahir Mustafa.
Java e veçantë studimore punimet e saj do t’i përfundojë më 6 tetor 2023, ku në sheshin e Rektoratit do të organizohet edhe panairi, ku grupet studiuese do të prezantojnë biodiversitetin e 10 vendbanimeve që kanë qenë objekt studimi.