“NUK DO TË KETË KOALICION PARAZGJEDHOR ME VMRO-DPMNE-në
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami thotë se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese, derisa nuk zgjidhet çështja e formulimit të gjuhës shqipe në kushtetutë. Në një intervistë për REL, ai tha se, nuk kanë dyshime rreth ndryshimeve kushtetuese sepse ata përshpejtojnë rrugën e vendit drejt BE-së, megjithatë sipas tij, derisa Qeveria nuk shpreh interesim për të dëgjuar zërin e tyre, nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese.
“NE si lëvizje kemi lëshuar kërkesë formale por edhe qëndrimi i përbashkët i opozitës shqiptare është se në pjesën e ndryshimeve kushtetuese, duhet të hyjë edhe ndryshimi i formulimit të gjuhës shqipe nga “gjuha që e flasin 20 përqind e qytetarëve” në formulimin “gjuha shqipe”. Qeveria nuk e ndjen as përgjegjësinë më të vogël që ta vendosë në procedurë pa pasur obligim që të na sigurojë votat në Kuvend” – tha Bilall Kasami.
Kasami në intervistë thotë se koalicion parazgjedhor me VMRO-DPMNE-në nuk është i mundur, ai shton se opozita shqiptare po bashkohet dhe po hap dyert për partitë që do të kundërshtojnë BDI-në.
“Pas zgjedhjeve, ne si opozitë nëse i fitojmë zgjedhjet te shqiptarët, nëse marrim shumicën e votave shqiptare dhe deputetë, do të ulemi të shohim cilat janë kombinimet e mundshme dhe cilat nga ato parti do të pranonin përcaktimet tona programore që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme” – deklaroi Kasami.
Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, Kasami tha se fronti opozitar do të del me kandidatë të vetin. /KlanMacedonia/