Tërmet në Itali

Një tërmet me fuqi prej 4,2 shkallësh ndodhi të mërkurën herët në një fushë vullkanike afër Napolit të Italisë.

Kjo ishte dridhja më e fuqishme në gati katër dekada në atë zonë, por autoritetet italiane thanë se duket që tërmeti nuk ka shkaktuar dëme, raporton agjencia “Reuters”.

Tërmeti i ri, pjesë e më shumë se 60 zhvillimeve sizmike të regjistruara nga orët e para të së martës, ndodhi në orën 3 e 35 minuta të mëngjesit, tha Instituti i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë.

Dridhja “u ndie nga popullsia, por sipas kontrolleve fillestare, nuk është raportuar për dëm deri më tani”- thuhet në një deklaratë të Agjencisë për Mbrojtje Civile.

Fushat Flegrane janë zonë e kratereve vullkanike në periferinë perëndimore të Napolit, që vëzhgohet vazhdimisht për shkak të rrezikut nga tërmetet ose shpërthimet vullkanike.

Ajo pjesë e Italisë është e ndjeshme ndaj bradiseizmit ose ngritjes e uljes së ngadalshme të tokës. Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se fazat e ngritjes shoqërohen me aktivitet sizmik lokal intensiv.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share