Tajani: Kurti dhe Vuçiç të inkurajojnë dialogun
Bashkimi Evropian këmbëngul për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që morën pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, por në të njëjtën kohë kërkon që të gjitha faktet të verifikohen.
Duke iu përgjigjur sërish gazetarëve në Bruksel, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano bëri të ditur se hetimet janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, dhe me kërkesë të autoriteteve të Prishtinës ato po asistohen nga EULEX-i dhe KFOR-i.
“Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa i përket përgjegjësisë, mosndëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është i qartë. Të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”.
Për të shtensionuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani paralajmëroi përforcimin e pranisë së trupave të KFOR në kufirin mes dy vendeve, ndërsa bëri të ditur se u kishte kërkuar Kurtit dhe Vuçiç t’i rikthehen dialogut.
“Bisedova me presidentin Vuçiç dhe me kryeministrin Kurti. U kam kërkuar të dyve që të inkurajojnë dialogun mes palëve. Në marrëveshje me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto ne po punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”.
Situata në veri të Kosovës do të jetë objekt i diskutimeve të një takimi që do të mbahet pasditen e së martës në Bruksel ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së.
Tv Klan