Franca tërheq ambasadorin dhe trupat nga Nigeri

Tërheqja e plotë do të bëhet në fund të vitit, vendimi vjen pasi qeveria franceze refuzoi të njihte grushtin e shtetit

Franca ka vendosur që të tërheqë trupat e saj dhe ambasadorin nga Nigeri pas grushtit të shtetit të Korrikut që përmbysi presidentin e zgjedhur Mohamed Bazoum.

“Franca ka vendosur të tërheqë ambasadorin e saj. Në orët e ardhshme ambasadori ynë dhe disa diplomatë do të kthehen në Francë”, tha Macron në një intervistë televizive.

Ai shtoi se bashkëpunimi ushtarak kishte mbaruar dhe se 1,500 trupa franceze të stacionuara në vend do të tërhiqeshin në muajt dhe javët në vijim me një tërheqje të plotë deri në fund të vitit. Ky vendim vjen pas javësh presioni nga ushtria dhe demonstratat popullore. Sundimtarët e Nigerit, të cilët kishin kërkuar largimin e Francës pasi Macron refuzoi të njihte grushtin e shtetit të 26 korrikut, e mirëpritën njoftimin e presidentit francez.

“Ne festojmë një hap të ri drejt sovranitetit të Nigerit.  Ky është një moment historik, i cili flet për vendosmërinë dhe vullnetin e popullit Nigerian. Çdo person, institucion apo strukturë, prania e të cilit kërcënon interesat dhe perspektivën e vendit tonë, do të duhet të largohet nga toka e të parëve tanë,” thuhet në një deklaratë nga ushtria e Nigerit.

Trupave franceze u ishte kërkuar gjithashtu të largohen nga ish-kolonitë e saj Mali dhe Burkina Faso. Në fillim të këtij muaji, dy zyrtarë amerikanë thanë gjithashtu se edhe Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë tërheqjen e trupave nga Nigeri. Rreth 1,100 trupa amerikane janë vendosur në Niger.

Pas grushtit të shtetit në Niger, Blloku rajonal, Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) vendosi sanksione në prag të grushtit të shtetit të Korrikut dhe paralajmëroi se mund të ndërhynte ushtarakisht nëse përpjekjet diplomatike për të rikthyer Bazoum në pushtet dështojnë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share