NDESHJA NË TETOVË PA GOLA, POR MJAFT DINAMIKE
Dy fitore të ekipeve vendase, dy barazime dhe një fitore e ekipit mysafir me gjithsejt 8 gola të shënuar është epilogu i pesë ndeshjeve të xhiros së gjashtë të sezonit vjeshtor të kampionatit në Ligën e parë të futbollit. Kryesojnë Shkëndija dhe Brera me nga 13 pikë.
FC Shkupi ndali startin perfekt të tetovarëve. Edhe pse ndeshja përfundoi pa gola, pesë mijë tifozët ishin dëshmitarë të një ndeshje dinamike. Trajneri i “kuqezinjve”, Ardian Nuhiu, tha se derbi përmbushi pritjet, por se ndeshje të këtilla do të ketë edhe në të ardhmen.
“Besoj se e ka arsyetuar epitetin derbi kjo ndeshje sepse ishte një pjesë e parë luftuar shumë nga të dyja skuadrat. Mendoj se në pjesën e parë ishim të barabartë, por në pjesën e dytë ishim më lartë se kundërshtari. E donim më tepër fitoren, por thjeshtë nuk arritëm që të realizonim rastet që i krijuam. Nuk diskutohet se është barazim, por është herët. E dimë që gjatë rrugës do kemi pengesa të tilla. Lufta vazhdon, kampionati vazhdon”, tha Ardian Nuhiu, trajner i KF Shkëndija.
Nga tabori i shkupjanëve pretendojnë se merituan më tepër se një pikë. Janë të kënaqur me angazhimin dhe synojnë kreun e tabelës.
“Normalisht që nuk ishte një ndeshje e lehtë edhe pse pikët i ndamë. Secili prej nesh e bëri maksimumin dhe prej vetes e dhamë gjithë atë çka kishim dhe besoj të vazhdojmë tutje. Po me tregu të drejtën nuk jemi të kënaqur me një pikë, po fati ishte në të dy anët dhe ndamë pikët”, tha Artan Iljazi, kapiten i FC Shkupit.
Në katër takimet tjera të javës së gjashtë, Vardari shënoi fitoren e parë sezonale kundër Makedonija Gj.P 2-1, Voska Sport me dy golat e Marushiqit mundi Bregallnicën 2-0, Brera në Strumicë u ndal me barazim pa gola me Rabotniçkin, ndërsa Gostivari edhe njëherë zhgënjeu para publikut vendas kësaj radhe kundër Sileksit 1-2.
Xhiroja e gjashtë kompletohet të hënën me ndeshjen Struga Trim Lum – Tikveshi.
Java e shtatë luhet më 16 shtator./KlanMacedonia