Kontroll aksion në Ohër: Gjendet marihuanë, ndalohen shtetase të huaj, mos lëshim faturash fiskale….
Zyrtarë policorë dhe inspektorë nga më shumë institucione kanë kryer kontroll në një objekt hotelierik në Ohër, me çka kanë konstatuar shumë parregullsi. Është gjetur marihuanë, janë kapur shtetase të huaja me qëndrim të parregulluar, keqpërdorime financiare e shkelje tjera, përcjell KlanM.
“Më datë 27.08.2023 në orën 01:00, në përputhje me planin operativ të përgatitur paraprakisht për kontrollin e objekteve hotelierike, nga punonjësit e policisë së Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë kryer kontroll aksion në një objekt hotelierie në Ohër. Gjatë kontrollit tek një person u gjet marihuana, si dhe u gjetën 17 shtetase të huaja, katër prej të cilave banonin në kundërshtim me ligjet e vendit (dy nga Rusia me mbiqëndrim, një nga Serbia me mbiqëndrim dhe një shtetase e Serbisë me ndalesë aktive për hyrje në shtet). Personat janë ndaluar dhe gjyqtari kompetent në Gjykatën Themelore të Ohrit ka shqiptuar gjobë dhe përjashtim”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga ana tjetër, DAP ka konstatuar moslëshim të llogarive fiskale dhe ka konstatuar tejkalim prej 80.000 denarëve, para të cilat nuk janë regjistruar, për të cilat do të pasojnë sanksione përkatëse. Inspektorati Shtetëror i Punës ka konstatuar një person që kryente veprimtari pune dhe nuk ishte i regjistruar, për të cilin do të vijojë raporti përkatës. Inspektorati Shtetëror i Tregut ka konstatuar shkelje të ndalimit të pirjes së duhanit në objektin hotelierik, për çka janë shqiptuar sanksionet përkatëse./KlanMacedonia