Max Verstappen me Red Bull fitoi sot pasdite garën e Çmimit të Madh të Holandës në Formula 1, suksesi i 9-të radhazi për pilotin holandez, që dominon botërorin dhe kryeson i shkëputur renditjen.
Ai barazon rekordin e Sebastian Vettel me 9 fitore radhazi vendosur dhjetë vite me parë, në një garë mjaft interesante, sidomos në fillimin e fundin e saj, kur binte shi.
Një garë mjaft emocionuese, pas shiut që nisi menjëherë pas startit, që i kushtoi kreun Verstappen, që e rimori pas 10 xhirosh. Edhe në fundin e garës ka sërish shi, duke detyruar komisarët e garës të valëvisin flamurin e kuq, 7 xhiro nga fundit dhe pas një seri aksidentesh. Më herët, në mesin e garës, në pistë pat hyrë edhe makina e sigurisë, kur u aksidentua Sargeant.
Një garë që u bë kaotike për shkak të shiut dhe pilotëve që hynin në bokse për të ndërruar gomat, duke e lënë të hapur emrin e fituesit deri në fund. Gjithsesi, Verstappen arriti të mbrojë kreun, duke e merituar fitoren (e treta radhazi në shtëpinë e tij), ndërkohë që në podium bashkë me të u ngjitën edhe Fernando Alonso (Aston Martin) e Pierre Gasly (Alpine), që përfitoi nga penaliteti që mori Sergio Perez (i katërti).
Shiu dhe disa incidente në start bënë që strategjithë e pilotëve të ishin të ndryshme. Gjithsesi, një garë për t’u harruar për Charles Leclec, që e braktisi atë në mesin e saj, me Ferrari që vuajti shumë, ashtu sikurse edhe Mercedes, që nuk ishte mes më të mirave. Në fund, gara rinisi nën regjimin e makinës së sigurisë me pilotët që e mbyllën garën me gomat e ndërmjetme.
Pas treshes së podiumit, në zonën e pikëve u renditën edhe Carlos Sainz (Ferrari), Lewis Hamilton (Mercedes), Lando Norris (McLaren), Alexander Albion (Williams), Oscar Piastri (McLaren) dhe Esteban Ocon (Alpine). Gara e radhës në Itali.