Sllovenia do të marrë 400 milionë euro nga Fondi i Solidaritetit të BE-së, 100 milionë euro këtë vit dhe 300 milionë euro vitin e ardhshëm, njoftoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas vizitës së sotme në zonat e prekura nga përmbytjet në Slloveni dhe pas bisedës me kryeministrin slloven Robert Golob, njoftojnë agjencitë sllovene, përcjell KlanM.
Kjo është vetëm një pjesë e ndihmës evropiane nga e cila mund të përfitojë Sllovenia. 2.7 miliardë euro të tjera janë në dispozicion nën instrumentin evropian për kredi dhe grante për rindërtimin pas Covid-19, NextGenerationEU, të cilin Sllovenia nuk e ka përdorur ende. Përveç kësaj, fondet ekzistuese të kohezionit në total prej 3.3 miliardë euro mund të riprogramohen për të ndihmuar përpjekjet e rimëkëmbjes së vendit pas përmbytjeve.
“Ne kemi një paketë të mirë mbështetjeje të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjatë për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Sllovenisë,” tha Von der Leyen.
Ajo theksoi se koha është thelbësore dhe Sllovenia duhet të paraqesë një vlerësim paraprak të dëmit sa më shpejt të jetë e mundur.
Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur që nisën më 4 gusht, kryeministri slloven i cilësoi si fatkeqësinë më të madhe natyrore në 30 vitet e fundit. Ai tha se dëmi është në miliarda euro. Dy të tretat e vendit janë shkatërruar dhe shumë njerëz kanë mbetur pa shtëpi. Gjithsej gjashtë persona besohet se kanë humbur jetën nga stuhitë dhe përmbytjet në vend ditët e fundit, raporton AMI.
Bashkimi Evropian, NATO dhe shumë vende evropiane po dërgojnë ndihmë urgjente në Slloveni.
Papa Françesku tha sot në Vatikan se po lutet për viktimat e përmbytjeve në Slloveni dhe Gjeorgji dhe falënderoi ata që po japin ndihmë.