Bilanci i viktimave ka arritur në gjashtë ndërsa dëmet janë të konsiderueshme dhe duhen muaj për t’u riparuar
Menjëherë pas kërkesës së qeverisë sllovene, NATO dhe BE kanë dërguar ndihma pas përmbytjeve katastrofike.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu ngushëllimet e tij dhe solidaritetin për Slloveninë, ndërsa helikopterë, ekskavatorë dhe ekspertizë inxhinierike u dërguan në Slloveni.
Bashkimi Evropian ofroi gjithashtu makineri të rënda dhe njësi inxhinierike. Ndërkaq bilanci i të vdekurëve ka arritur në gjashtë, ndërsa dëmet janë të mëdha.
Banorët e qytetit Crna na Koroskem vijojnë punën për të hequr baltën që sollën shirat e fuqishëm ndërsa mbledhin ato pak mobilje që kanë mbetur pas përmbytjeve katastrofike.
“As që mund ta përshkruaj sa e keqe ishte kjo përmbytje. Unë jam ndër më të moshuarit këtu dhe nuk e kam parë kurrë më parë në jetën time këtë katastrofë. Ndodhi kaq shpejt. Në 30 minuta gjithçka u përmbyt. Gjithçka që munda të bëja ishte të shpëtoja veten. Dhe pastaj gjithçka mbaroi. Ne nuk mundëm të shpëtonim asgjë pasi shtëpia jonë u shkatërrua”, thotë një banor.
Shirat e fuqishëm kanë goditur gati dy të tretat e kombit për ditë të tëra. Qindra mijëra shtëpi janë shkatërruar,urat janë shembur ndërsa në disa zona uji ende nuk është tërhequr.
Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë në Slloveninë veriperëndimore dhe qendrore. Rreth 16,000 familje vijojnë pa energji elektrike. Shumë banorë janë shprehur se këto përmbytje katastrofike që kanë përfshirë Slloveninë janë hakmarrja që natyra po i bën pakujdesisë njerëzore në të gjithë Evropën./KlanNews