Duke qenë se krizat e njëpasnjëshme e kanë goditur rëndë sektorin e biznesit e si rrjedhojë i tërë ekosistemi ekonomik i vendit pësoi rënie të konsiderueshme, me shfaqjen e Propozim Ligjit të tatimit të solidaritetit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ngre zërin kundër sjelljes së ligjeve që penalizojnë planifikimet dhe rrjedhat e zhvillimit biznesor.
Kundërshtimi ndaj kësaj iniciative është parimor sepse OEMVP vlerëson që kjo do ti destimulon kompanitë të investojnë dhe të zhvillohen ngase në rast të rritjeve të bilanceve të të ardhurave dhe neto fitimit, ata do të penalizohen. Gjithashtu, e njëjta është një tregues negativ i qartë i qasjes jo zhvillimore të aspektit ekonomik të qeverisë, ngase kjo i destimulon edhe investimet sidomos ato të kompanive vendore qofshin kompani të etabluara apo ato potenciale.
Përskaj të gjitha komplikimeve të cilat kjo mund ti sjellë qoftë në plan afatshkurtër apo afatgjatë, “penalizimi” i kompanive të suksesshme në mënyrë retroaktive tregon që asnjë kompani nuk është e sigurtë, dhe nga ana tjetër është në kundërshtim me Kushtetutën e RMV-së, neni 52, paragrafi 4i cili thotë që “Ligjet dhe rregullat e tjera nuk mund të kenë efekt prapaveprues, përveç përjashtimit, në rastet kur kjo është më e favorshme psër qytetarët.
Siguria juridike apo ekonomike e kompanive vendore apo investitorëve të huaj varret skajshëm nga aftësia e institucioneve për të gjetur zgjidhje të drejta dhe arsyeshme në kohë krizash, dhe “penalizimi” i kompanive të suksesshme si rezultat i keq menaxhimit të krizës nuk duhet të bjerë në shpinë të bizneseve të cilët akoma nuk po arrijnë të rikuperohen nga sfidat e njëpasnjëshme, thonë nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. /KlanMacedonia/