Ndryshimet Kushtetuese, ofensivë e re diplomatike në Shkup!

“TRESHJA E VAJMARIT” NË SHKUP, NË FOKUS TË VIZITËS PROCESI EUROINTEGRUES

Me ngushtimin e afatit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, ka filluar një ofensivë diplomatike në vend, për të bindur palët politike që të arrijnë konsensus rreth çështjes së procesit eurointegrues, njofton KlanM.

Pas tre shefave të diplomacisë së Austrisë, Republikës së Çekisë dhe Sllovakisë, të cilët javën e kaluar ishin në Shkup për të lobuar për ndryshime kushtetuese, sot në RMV qëndrojnë edhe ministrat për Evropë të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.

Ministrja për Evropë e Gjermanisë, Ana Lirman, sekretarja shtetërore për Evropë në Këshillin e ministrave të Francës, Lorenc Bun dhe ministri për BE i Polonisë, Shimon Shinkovski vel Senk, të njohur si “Treshja e Vajmarit”, do të qëndrojnë sot në Shkup.

Ata do të priten në takim pune nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ku temë e bisedës do të jenë negociatat me BE-në, me fokus përmbushjen e detyrimeve dhe detyrave që dalin nga korniza e negociatave dhe përshpejtimi të procesit të integrimit evropian, pas së cilës do të kenë konferencë të përbashkët për shtyp.

Në kuadër të vizitës “Treshja e Vajmarit”, sic njofton KlanM, do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe me koordinatorët e grupeve parlamentare.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë javën e kaluar porositën nga Shkupi, që të rumbullakësohet procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Duke përcjellë porosinë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrel, ata thanë se, nëse vendi nuk miraton këto ndryshime, Maqedonia e Veriut do të përballet me rrezikun që të izolohet.

Sipas tyre, vendi nuk ka kohë për të humbur dhe prolongimi i miratimit të ndryshimeve, nënkupton prolongim të anëtarësimit në BE.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share