Mercenarët e Wagner-it hyjnë në Bjellorusi

Një autokolonë e madhe që transportonte luftëtarë të ushtrisë private ‘Wagner’ u pa të shtunën herët në mëngjes duke hyrë në Bjellorusi nëpërmjet Rusisë, raportoi një grup monitorues. Ky zhvillim vjen një ditë pasi ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se planifikonte që mercenarët dhe forcat e armatosura të këtij vendi, të kryenin stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe se mbi këtë çështje kishin hartuar edhe një udhërrëfyes.

Grupi i pavarur i monitorimit ‘Belaruski Hajun’, i cili gjurmon lëvizjet e forcave të armatosura në Bjellorusi, tha se të paktën 60 kamionë, autobusë dhe automjete të tjera të mëdha, kishin hyrë në Bjellorusi, shoqëruar nga policia bjelloruse.

Grupi nuk tregoi foto apo video të automjeteve, por tha se ato kishin targa nga zonat e pushtuara nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainën, ku mercenarët e ‘Wagner-it’ luftuan së bashku me trupat ruse, deri në para reblemit jetëshkurtër kundër Kremlinit, muajin e kaluar.

Karvani po udhëtonte drejt një baze ushtarake jashtë Osipovichi-t, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën, sipas ‘Belaruski Hajun’. Imazhe satelitore të analizuara nga ‘Associated Press’ këtë muaj, treguan rreshta strukturash të ngjashme me tenda, që dukej se ishin ndërtuar në bazë, mes 15 dhe 30 qershorit.

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha në atë kohë se Minsku mund të përdorte përvojën dhe ekspertizën e Wagner-it dhe se ai u kishte ofruar luftëtarëve një “njësi ushtarake të braktisur” për të ngritur kampin. Po atë javë, një udhëheqës i një grupi gueril anti-Lukashenko-s i tha AP-së, se pranë Osipovichi-po ndërtohej një baze për grupin e mercenarëve.

Qendra e Ukrainës për Rezistencën Kombëtare, një krah i ministrisë së Mbrojtjes ukrainase, që ndihmon grupet guerile në territorin e pushtuar nga Rusia, tha më vonë të shtunën se rreth 240 luftëtarë të Wagner-it, 40 kamionë dhe “një sasi e madhe armësh” kishin mbërritur në zonën e Osipovichi-t. Qendra iu referua anëtarëve të opozitës së fshehtë, anti-Lukashenko në Bjellorusi si burim informacioni. Por deri tani këto deklarata nuk kanë arritur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Në një tjetër reagim, një zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Ukrainës tha të shtunën se kishin vëzhguar “disa grupe” luftëtarësh të Wagner-it që kalonin nga Rusia në Bjellorusi. Zëdhënësi, Andriy Demchenko, i bëri komentet në një intervistë me gazetën ‘Ukrainska Pravda’.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha në një deklaratë në internet të premten vonë në mbrëmje se kishte hartuar një “udhërrëfyes” me grupin Wagner për stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Më herët të premten, Ministria e Mbrojtjes tha se luftëtarët e Wagner-it kishin filluar stërvitjen me ushtarë bjellorusë. Një kanal televiziv i lidhur me ministrinë tregoi pamjet e luftëtarëve me maska të zeza tek udhëzonin ushtarët se si të qëllonin dhe të jepnin ndihmën e parë.

Më 23 qershor, themeluesi dhe udhëheqësi i grupit ‘Wagner, Yevgeny Prigozhin, urdhëroi luftëtarët e tij të linin kampet e tyre në Ukrainë dhe të niseshin drejt Moskës për të kërkuar largimin e ministrit rus të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Rebelimi tronditi Rusinë dhe u pa gjerësisht si sfida më të madhe ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, gjatë dekadave të tij në pushtet.

Ishte Presidenti bjellorus Lukashenko ai që më pas ndërmjetësoi një marrëveshje mes Yevgeny Prigozhinit dhe Kremlinit, marrëveshje që siguroi mbrojtjen e udhëheqësit të ‘Wagner-it’ dhe njerëzve të tij nga ndjekja penale. Falë saj Yevgeny Prigozhin u lejua të shkonte në Bjellorusi, e ushtarët e tij u urdhëruan të ktheheshin në kampe.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share