Vendet mblodhën armatimet më të avancuara për sigurinë e liderëve të Aleancës
NATO e ktheu Vilniusin në një kështjellë të mbrojtur me armatime të avancuara për të mbrojtur Presidentin e SHBA, Joe Biden dhe liderë të tjerë të aleancës që u takuan vetëm 32 km nga gardhi kufitar i Lituanisë.
Gjermania vendosi 12 lëshues raketash Patriot për të kapur raketa balistike dhe lundruese ose avionë luftarakë. Spanja, Franca, Finlanda dhe Danimarka vendosën gjithashtu avionët ushtarakë në Lituani.
Anëtarësimi i Ukrainës në NATO mbizëtëroi në qendër të axhendës. Volodymyr Zelensky mund të jetë ose jo një fans i Rolling Stones, por pas këtij samiti të NATO-s, ai tanimë personifikohet me këngën You Can’t Alëays Get Ëhat You Ëant (Ju nuk mund të merrni gjithmonë atë që dëshironi).
Në harkun kohor të këtyre dy ditëve, presidenti i Ukrainës erdhi në Vilnius, Lituani, me pritshmëri të mëdha. Ai kërkoi një garanci se vendi i tij do të bashkohej me NATO-n pas përfundimit të luftës me Rusinë, donte që anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë të ishte një fener shprese për popullin e tij, që mund të siguronte që trupat ruse kurrë më nuk do ta plaçkisnin atdheun ukrainas.
Zelensky ishte i zemëruar me idenë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte një mjet pazari për negociatat e pasluftës me Rusinë. E cilësoi si fillim ftesën absurd, por më pas presidenti ukrainas u detyrua të uli tonet përballë aleatëve më të fuqishëm të botës. Ukraina në këtë mënyrë do të ftohet të bëhet anëtare “kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”.
Ftesa mbetet e hapur por afatet kohore se kur dhe si do të bëhet anëtarësimi i Ukrainës në NATO ende të paqarta. Gjatë konferencës së përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky u shpreh se marrja e një ftese për anëtarësim në NATO, e cila nuk është ende zyrtarisht në tryezë, do të ishte rezultati ideal.
“Më e rëndësishme është të kemi rezultate që t’a shikojmë Kievin më afër NATO-s. Disa njerëz kanë “frikë” të flasin për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, sepse “askush nuk është i gatshëm të ketë një luftë botërore”. Ukraina tanimë nuk mund të jetë anëtar i aleancës sepse brenda territorit tësaj po zhvillohet një luftë. Por, sinjalet janë të rëndësishme.”
I pyetur nëse lëvizjet e NATO-s në këtë samit i kanë sjellë aleatët më afër luftës me Rusinë, Stoltenberg u shpreh se Europa po ndeshet me një luftë po pa rrezik për NATO-n. Sipas tij rreziku më i madh për NATO-n, është nëse presidenti Putin fiton duke konfirmuar pikëpamjen e tij se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë rrugën dhe aleancat e saj.
“Ne kurrë nuk mund të lejojmë që Moska të fillojë të vendosë se kush mund ose kush nuk mund të jetë anëtar i NATO-s. Rusia ka qenë kundër çdo zgjerimi të NATO-s. U takon aleatëve të NATO-s që të vendosin se kur do të ndodhë anëtarësimi. Moska nuk nuk ka veto për këtë.”
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg u shpreh se do të thjeshtëzohet rruga se si Ukraina mund të bëhet anëtare e aleancës në të ardhmen.
“Për çështjen e anëtarësimit, pres gjithashtu që aleatët të dërgojnë një mesazh të qartë dhe pozitiv në rrugën përpara drejt anëtarësimit për Ukrainën. Unë kam propozuar një paketë prej tre elementësh me mbështetjen më praktike me një program shumëvjeçar, për të siguruar të plotë ndërveprueshmërinë midis forcave ukrainase dhe forcave të NATO-s. Kjo do ta afrojë Ukrainën më pranë NATO-s.”
Para takimit të Këshillit Nato -Ukrainë, presidenti Zelensky takoi kancelarin gjerman Olaf Scholz , kryeminstrin britanik Rishi Sunak dhe kryeminsitrin kanadez Justin Trudeau. Gjatë takimit kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak u shpreh se marrëveshjet e sigurisë midis NATO-s dhe Ukrainës “nuk do të jenë zëvendësim për anëtarësimin në NATO, duke iu referuar garancive të sigurisë nga grupi i vendeve të G7. Nga takimet presidenti ukrainas mori premtim jo vetëm nga Franca por edhe nga Gjermania për raketa me rreze të gjatë veprimi.
Ndërkaq mes të tjerash Franca por edhe Gjermani konfirmuan se do të fillojnë të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat do t’i lejojnë forcat e Kievit të godasin më thellë në zonat e pushtuara.
“Duke marrë parasysh situatën dhe zhvillimin e kundërofensivës nga Ukraina, vendosa të rris dërgesat e armëve dhe pajisjeve dhe të siguroj raketa me rreze të gjatë veprimi në mënyrë që ukrainasit të mbrohen në territorin e tyre. Unë mendoj se ajo që është e rëndësishme për ne është të dërgojmë një mesazh mbështetjeje për Ukrainën, për unitetin e NATO-s dhe për vendosmërinë tonë që Rusia të mos e fitojë këtë luftë.”
Anëtarët G7 miratuan gjithashtu një marrëveshje afatgjatë të sigurisë për Ukrainën, që përfshin armatimet, trajnimin e trupave si dhe ndarjet e informacioneve të zbulimit. Një prej anëtarëve të G7 kryeministri britanik Rishi Sunak deklaroi se marrëveshja do t’i dërgojë një sinjal të fortë presidentit rus Putin.
Kjo vjen pasi presidenti i Ukrainës Zelensky kritikoi hezitimin e NATO-s për t’i ofruar Kievit një afat kohor për t’u bashkuar me aleancën. Sunak tha se aleatët e Kievit po kërkojnë një plan afatgjatë për të mbrojtur Ukrainën.
“Ne nuk mund të shohim kurrë një përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë dhe kjo deklaratë rikonfirmon angazhimin tonë për të siguruar që ajo të mos jetë kurrë e cenueshme ndaj brutalitetit që Rusia ka shkaktuar përsëri ndaj saj. Presidenti Zelenskiy ka shprehur mirënjohjen e tij për atë që kemi bërë në disa raste, jo më pak në fjalimin e tij tepër emocionues që ai bëri në parlament në fillim të këtij viti.”
Kryeministri britanik u shpreh se gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar kishte luajtur një rol udhëheqës në marrëveshje. Presidenti i SHBA Joe Biden sugjeroi më herët një model për Ukrainën të ngjashëm me marrëveshjen e vendit të tij me Izraelin. Sipas kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar të ofrojë 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit gjatë një dekade.
Teksa mbylli turin e tij europian në një fjalim në Vilnius gjatë samitit të NATO-s, presidenti amerikan Joe Biden e akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se ka “epsh të zjarrtë për territore dhe pushtet”.
“Putini ka gabuar me llogaritjet e tij. NATO-ja është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë. Kur Putini dhe dëshira e tij e zjarrtë për territore dhe pushtet solli luftën brutale në Ukrainë, ai vuri bast se NATO-ja do të shpërbëhej. Ai mendoi gabim. Nuk e kupton se kush jemi ne.”
Biden-i vlerëson dinjitetin dhe guximin e jashtëzakonshëm me të cilin Ukraina ka mbrojtur territorin e saj, ndërsa përsëriti premtimin e tij për garanci afatgjatë sigurie për Kievin.
“Dua ta them këtë. Angazhimi ynë ndaj Ukrainës nuk do të dobësohet. Ne do të qëndrojmë për larine, për aq kohë sa të duhet. Aleanca jonë mbetet një mburojë e sigurisë dhe stabilitetit global. Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një koalicion prej më shumë se 50 kombesh për t’u siguruar që Ukraina të mbrohet si tani dhe në të ardhmen.”
Biden u shpreh gjithashtu se për Ukrainën nuk ka rëndësi nëse është apo jo tani anëtare e NATO-s por me rëndësi janë angazhimet e ndërmarra në samit dhe plani afatgjatë i sigurisë i miratuar nga aleatët e G7-tës.
Ajo që nuk pritej nga ky samit ishte edhe kthesa e presidentit turk Regep Tajip Erdogan. Turqia pas muajsh të tërë pengesash hapi dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Më herët Erdogan kushtëzoi pranimin e Stokholmit në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
Në deklaratën e lëshuar pas takimit trepalësh u tha se Turqia dhe Suedia do të punojnë ngushtë “në koordinimin e luftes kundër terrorizmit” dhe do të fuqizojnë raportet dypalëshe tregtare.
“Më vjen mirë të njoftoj se si rezultat, Presidenti Erdogan ka rënë dakord të përcjellë protokollin e pranimit për Suedinë në Asamblenë e Madhe Kombëtare si sa më shpejt të jetë e mundur dhe të punojmë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin.”
“Është ndjenjë shumë e mirë. Ky ka qenë qëllimi im për një kohë të gjatë dhe besoj se kishim një përgjigje të mirë sot dhe ndërmorëm një hap të madh drejt anëtarësimit.”
Suedia do të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të ringjallur procesin e pranimit të Turqisë në BE, përfshirë edhe modernizimin e bashkimit doganor BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave, thuhet në deklaratë.
Turqia e bllokoi anëtarësimin e Suedisë në aleancë, duke e akuzuar Stokholmin se strehon aktivistët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë. Pasi Turqia ndezi dritën jeshile Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, Predienti Joe Biden konfirmoi vullnetin e tij per miratimin e shitjes së avioneve F-16 Turqisë në Konsultim me Kongresin.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan deklaroi se presidenti Joe Biden mbështeti tranferimin e avionëve në Ankara. “Ai nuk ka bërë vërejtje për këtë. Ai synon të ecë përpara me atë transferim”, tha Sullivan.
Disa partnerë të NATO-s besojnë se Turqia, e cila kërkoi në tetor 2021 të blinte 20 miliardë dollarë avionë luftarakë F-16 dhe gati 80 komplete modernizimi për avionët e saj ekzistues luftarak, ka përdorur anëtarësimin suedez për të bërë presion ndaj Uashingtonit mbi avionët luftarakë.
Që një shtet të bëhet pjesë e NATO-s, duhet që të gjitha shtetet anëtare të ratifikojnë në parlamentet e tyre protokollet e pranimit. Në rastin e Suedisë, përveç Turqisë, edhe Hungaria nuk e ka ratifikuar protokollin që Stokholmi të bëhet pjesë e aleancës. Por për këtë të fundit Stoltenberg u shpreh optimist se nuk do të bëhej pengesë.
Klan News