Twitter kufizon numrin e postimeve që mund të shohin përdoruesit

Twitter ka aplikuar një kufizim të përkohshëm të numrit të postimeve që përdoruesit mund të shikojnë në një ditë. Në një postim, pronari i gjigandit të teknologjisë, Elon Musk tha se llogaritë e paverifikuara tashmë do të limitohen në leximin e 1 mijë posteve në ditë. Për llogaritë e reja të paverifikuara numri është 500. Ndërsa për llogaritë e verifikuara numri i postimeve që mund të lexohen është 10 mijë në ditë.

Miliarderi tha se këto kufizime janë bërë për adresuar “nivelet e mëdha të grumbullimit të të dhënave dhe manipulimit të sistemit”. Ai nuk shpjegoi se çfarë do të thoshte me manipulim të sistemit. Megjithatë lëvizjen e përshkroi si një “masë emergjente të përkohshme”.

BBC thotë se është pjesërisht e paqartë se kujt i referohej Musk edhe pjesës së grumbullimit të të dhënave. Megjithatë, sipas shpjegimit që jep prestigjiozja britanike, duket se ka të bëjë me grumbullimin e madh të të dhënave që përdoren nga kompanitë e inteligjencës artificiale për të trajnuar modelet e gjuhës.

Me fjalë të thjeshta, grumbullimi i të dhënave është tërheqja e të dhënave nga interneti. Këto modele të inteligjencës artificiale kanë nevojë të mësojnë nga bisedat e njerëzve të vërtetë. Reddit dhe Twitter kanë miliarda postime që mund të jenë të rëndësishme për këto trajnime. Mirëpo këto platforma duan që të paguhen për të dhënat që jepen.

Megjithatë, sa i përket lëvizjes së Twiter, sipas BBC mund të ketë edhe arsye të tjera pse bëhet. Musk ka nxitur njerëzit drejt “Twitter Blue”, shërbimin e saj me pagesë.

“Ka mundësi që ai po shikon në një model ku përdoruesit do duhet të paguajnë për të marrë një shërbim të plotë në Twitter dhe për të aksesuar një numër të pakufizuar postimesh”, thotë BBC.

Kujtojmë se Musk e bleu Twitter vitin e kaluar për 44 miliardë Dollarë. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share