Rusia vendos disa koka bërthamore në Bjellorusi, ShBA: S’ka tendenca se do t’i përdorin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se Rusia ka vendosur tashmë disa koka të armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Putin tha se se ato do të përdoren vetëm nëse territori ose shteti rus kërcënohet, teksa qeveria amerikane ka bërë të ditur se s’ka asnjë indikacion se Kremlini planifikon të përdorë armë bërthamore për ta sulmuar Ukrainën.

“Ne nuk shohim asnjë indikacion se Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pas komenteve të Putinit.

Putin tha se transferimi i kokave bërthamore taktike në Bjellorusi do të përfundojë deri në fund të verës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve pas një fjalimi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, presidenti rus tha se masa kishte të bënte me “përmbajtjen” dhe për t’i kujtuar kujtdo që “mendon të na shkaktojë një humbje strategjike”.

“Pse duhet të kërcënojmë të gjithë botën? Tashmë kam thënë se përdorimi i masave ekstreme është i mundur në rast se ekziston rrezik për shtetësinë ruse”, tha tutje Putin, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Armët bërthamore taktike janë koka të vogla bërthamore dhe sisteme shpërndarjeje të destinuara për përdorim në fushën e betejës, ose për një goditje të kufizuar. Ato janë krijuar për të shkatërruar objektivat e armikut në një zonë të caktuar pa shkaktuar pasoja të përhapura radioaktive.

Armët më të vogla taktike bërthamore mund të jenë një kiloton ose më pak (duke prodhuar ekuivalentin me një mijë tonë TNT).

Lexo gjithashtu
Total
0
Share