Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot ka vizituar kompaninë e TI0-së “ITGMA SHPNJ-Shkup, e specializuar në programim kompjuterik dhe shërbime konsulente. Kompania, e cila ka mbi 100 punonjës, është themeluar në vitin 2009 dhe përveç në Shkup, ka zyra në Beograd, Republikën e Serbisë, si dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kompania është shfrytëzuese e ndihmës financiare shtetërore në vlerë prej afër 95 mijë euro, e cila ka zbatuar Planin e tyre për projektin investues për periudhën 2020-2024.
“Sot jemi për vizitë në një nga kompanitë më të suksesshme maqedonase, e cila merret me zgjidhje softuerike dhe konsulente që ofron jo vetëm në tregun tonë por edhe jashtë kufijve të vendit. Ata punojnë në sektorët më të zhvilluar sot në fushën e telekomunikacionit, në fushën e financave, në fushën e bankave dhe me të vërtetë përfaqësojnë një kompani që nuk është vetëm një kompani me rritje të shpejtë në tregun tonë, por edhe një vend ku të rinjtë mund të zhvillohen dhe të përgatiten për industritë e së ardhmes”, deklaroi Kryeministri Kovaçevski, gjatë vizitës në këtë kompani të TI-së.
Ai potencon se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është më vend me fuqi punëtore të lirë.
“Ne kemi qytetarë të kënaqur që do të punojnë në kompani këtu në vendin tonë, e jo në kompani jashtë vendit, në vendet e tjera të BE-së. Me të vërtetë, kur sheh përvojën e kompanive të tilla që punojnë dhe që përgatisin zgjidhje softuerike për vendet që ne i konsiderojmë më të zhvilluara se ne, atëherë me krenari mund të themi se vendi ynë mund të jetë krah më krah me ata për të cilët deri dje konsideronim se janë më të zhvilluar se ne në shumë pjesë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski, i cili theksoi se anëtarësimi në BE është prioritet kryesor për shtetin.
Sipas tij, rritja e numrit të investimeve të huaja dhe rritja e numrit të vendeve të punës janë treguesi më i mirë se qytetarët tanë janë punëtorë, të arsimuar dhe të njohur nga investitorët si vlerë e shtuar në proceset e tyre afariste.
Kryeministri rikujtoi edhe masat e Qeverisë për mbështetjen e bizneseve.
“Vitin e kaluar e kemi mbyllur me mbi 750 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta dhe janë hapur mbi 2300 vende të reja pune. Numri i të punësuarve në zonat teknologjike-industriale tashmë i ka tejkaluar 17,000, vetëm që nga viti 2018 janë hapur 10,000 vende të reja pune. Gëzon fakti që vendet e reja të punës kanë një pagë mbi pagën mesatare dhe kjo është arsyeja pse pagat në vend po rriten, kjo lejon që paga minimale të rritet, paga mesatare të rritet gjithashtu, duke rritur kështu pensionet dhe me këtë do të rritet standardin jetësor i qytetarëve”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke theksuar se Qeveria tregoi përgjegjësi me pakon më të madhe të masave kundër krizës në vlerë prej mbi 760 milionë euro.
“Kemi arritur të ndihmojmë qytetarët, por edhe kompanitë që të ruajnë likuiditetin dhe në këtë mënyrë të ruajnë vendet e punës. Prandaj sot kemi një ulje të papunësisë për 8% dhe rritje të punësimit për 9,5% në vend, gjë që vetëm e vërteton faktin se vendi po rritet ekonomikisht dhe po zhvillohet”, tha Kryeministri Kovaçevski. Ai shtoi se gjatë vitit 2022 shteti ka investuar 23 milionë euro në ndihmë të drejtpërdrejtë për investime të kompanive tona dhe mbi 410 kompani, sipas Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve.
Kompanitë e TI-së, siç tha Kryeministri Kovaçevski, janë një nga industritë shtytëse dhe përfituesit më të mëdhenj të ndihmës shtetërore.