500 mijë polakë marrin pjesë në protestën e opozitës

Qindra mijëra protestues u mblodhën në Varshavë të dielën, në 34 vjetorin e zgjedhjeve të para demokratike të pasluftës në Poloni. Protesta u thirr nga opozita liberale e vendit e që gjerësisht konsiderohet një provë t’i dhënë fund gati tetë viteve të sundimit të forcave nacionaliste.

Turmat e protestuesve marshuan me pankarta ku shkruhej “E lirë, Polonia Europiane”, “Bashkimi Europian po, PiS jo”, duke iu referuar partisë qeverisëse Ligj dhe Drejtësi (PiS).

“Kam marrë pjesë në shumë marshime, por kurrë nuk kam parë një protestë të kësaj përmase me kaq energji. Mendoj se ky është një ndryshim madhor, si 4 qershori 1989.”

Sondazhet e opinionit tregojnë se zgjedhjet e vjeshtës do të luftohen ngushtë, me luftën e Rusisë në Ukrainë që mund të favorizojë partinë qeverisëse Ligji dhe Drejtësi (PiS), e cila është shfaqur si një zë kryesor kundër Kremlinit në Europë.

Opozita ka luftuar për të fituar mbështetje pavarësisht kritikave brenda dhe jashtë vendit për partinë në pushtet PiS, që akuzohet për gërryerje të shtetit të së drejtës, kthimin e medias shtetërore në një zëdhënës të qeverisë dhe miratimin e ligjeve homofobe.

Qeveria e kryeministrit Mateusz Morawiecki mohon përmbysjen e normave demokratike dhe thotë se qëllimi i saj është të mbrojë vlerat tradicionale të krishtera kundër presioneve liberale nga Perëndimi.

Donald Tusk, kreu i Platformës Qytetare dhe ish-shefi i këshillit të Bashkimit Europian, mirëpriti protestuesit duke thënë se zëri i polakëve nuk mund të shuhet.

“Demokracia vdes në heshtje, por ju sot keni ngritur zërin për demokraci, heshtja ka mbaruar, ne do të bërtasim. Ka gjysmë milioni vetë në rrugët e Varshavës, është një rekord absolut.”

Tusk bëri thirrje për unitet pavarësisht mosmarrëveshjeve politike në opozitë dhe premtoi fitore në zgjedhjet që do të mbahen në tetor ose nëntor. Një tjetër çështje që e bashkoi opozitën është i ashtuquajturi projektligj për të luftuar ndikimin rus e që shihet gjerësisht si një mjet për të goditur kundërshtarët. Projektligji në fjalë është kritikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Komisioni Europian.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share