Orët e fundit të garës së ethshme presidenciale në Turqi

Lideri i opozitës dhe Presidenti Erdogan zhvilluan tubimet e fundit

Orët e fundit të garës presidenciale në Turqi janë bërë gjithnjë e më të vështira pasi presidenti Rexhep Tajip Erdogan kërkon të zgjasë 20 vitet e tij në pushtet me një mandat tjetër.

Përpara votimit të balotazhit të së dielës, rivali i opozitës Kemal Kilicdaroglu synon votat e nacionalistëve duke u zotuar se do të dëbojë miliona refugjatë sirianë. Gjatë fushatës së tij udhëheqësi i opozitës ka nënvizuar problemet ekonomike me të cilat përballet vendi.

“Turqia ka disa probleme serioze ekonomike. Nëse ne po kërkojmë para nga njerëz që na fyen deri dje, kjo do të thotë se kemi një problem”, tha ai.

Presidenti aktual iu drejtua mijëra mbështetësve gjatë një prej tubimeve të fundit përpara votimit të së dielës.

Ai vuri në dyshim aftësinë e Kilicdaroglu, nëse zgjidhet president, për të funksionuar pa mbështetjen e shumicës së parlamentit.

“Kemal, çfarë do të bëni nëse zgjidheni president? Ku është pushteti legjislativ? Sigurisht, është në parlament. Ne kemi 323 ligjvënës në parlament. Si planifikoni t’i kaloni projektligjet?”, tha Erdogan.

Balotazhi në Turqi shihet me shumë interes edhe për zhvillimet në arenën globale. Kilicdaroglu ka premtuar se do të pozicionohet me aleatët perëndimorë për çështjen e luftës në Ukrainë duke i vendosur sanksione Rusisë, ndryshe nga qasja e deritanishme e Erdoganit që ka luajtur një rol balancues dhe është përpjekur të vendosë ura komunikimi mes Moskës dhe Perëndimit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share