Prezantohet platforma digjitale “shëndeti im”
Pas vitit të ri, tridhjetë klinikat të cilat nga viti 2007 funksionojnë veç e veç, sërish do të bashkohen në një institucion shëndetësor, paralajmëroi Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Projekti është drejt fundit, vetëm duhet të merr “dritë jeshile” nga Qeveria. Ministri Mexhiti, siç njofton KlanM, thotë se nuk frikësohet nga presionet partiake pasi me bashkimin e klinikave do të hiqen më shumë se 50 pozita drejtorësh kuadra partiak.
“Mezi pres që kjo të ndodh. Nuk do të ketë humbës si shërbimet e përbashkëta prej 20 milion eurove, të cilët nuk dijnë se cfarë punojnë. Atëherë do të dihet kush dhe çka punon, do të kursehet dhe do të ketë bashkëpunim më të madh midis klinikave. Presionet politike nuk më interesojnë. BE-ja e kërkon këtë si skrining dhe duhet të bëhet që shëndetësia të funksionojë”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Sipas Mexhitit, shëndetësia është në këtë situatë për shkak të keqmenaxhimit gjatë 30 viteve të kaluara. Ai paralajmëroi se derisa është Ministër nga secili drejtor i institucioneve publike do të kërkojë llogaridhënie çdo 6 muaj.
Ministri Mexhiti paralajmëroi se deri në fund të vitit do t`i jepet fund kaosit me parkingjet. Cështja do të zgjidhet me garazhe montuese.
Këto komente Ministri Fatmir Mexhiti, siç njofton KlanM, i bëri gjatë prezatimit të platformës digjitale “Shëndeti im”.
Nga sot përmes këtij aplikimi cdo qytetar mund të ketë qasje në të dhënat për shëndetin personal. Aplikacioni është I lidhur me sistemin “Termini Im” dhe mund të shihen kontrollet, reçetat mjekësore, vaksinat dhe sigurimi shëndetësor. /KlanMacedonia