Moti i thatë dhe erërat e ndryshueshme në Kanadanë perëndimore kanë rritur rrezikun e përhapjes së zjarreve në Alberta, një provincë që tashmë ka evakuuar mijëra njerëz, përcjell KlanM.
Aktualisht ka 90 zjarre aktive në Alberta, nga të cilat 23 janë jashtë kontrollit, thonë autoritetet atje.
Më shumë se 30,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre prej zjarreve, të cilat ndërprenë prodhimin e të paktën 319,000 fuçi naftë në ditë, ose 3.7 për qind të prodhimit kombëtar.
11 ditët e para të majit panë temperaturat më të nxehta të regjistruara në disa pjesë të Albertës, përfshirë Edmontonin.
Paralajmërime dhe urdhra evakuimi u dhanë edhe në provincën fqinje të Kolumbisë Britanike, ku janë aktive 60 zjarre.
“Sipas parashikimit për Albertën për ditën e martë do të ketë erëra të forta, jo shumë shi, megjithëse ka mundësi të vogla për stuhi”, tha meteorologia Sarah Hoffman.
Megjithatë, ndryshimi i drejtimit të erës mund të paraqesë një problem për zjarrfikësit pasi lëvizja e zjarrit ndryshon befas. Zjarrfikësit nga e gjithë Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara dhe ushtria kanadeze po marrin pjesë në “luftë” me zjarrin, përcjell KlanM.
Disa kompani energjetike po rifillojnë prodhimin, me prodhuesin e gazit natyror Kivetinohk Energy që thotë se ka rivendosur dy të tretat e prodhimit.