Juristja shqiptare me origjinë nga Elbasani, Sindi Manushi është zgjedhur kryebashkiake në krye të komunës së Pieve di Cadore në zonën e Bellunos. 31-vjeçarja Manushi bëhet kështu kryebashkiakja e parë italiane me origjinë shqiptare.
E reja ishte e vetmja kandidate dhe për këtë arsye mori 100% të votave duke sigurar kështu fitoren me 1365 vota. Pjesëmarrja në këtë komunë ishte 48.31%.
Juristja shqiptare, e cila ka emigruar drejt Italisë 22 vite më parë tregon në një intervistë për mediat e huaja se ajo është krenare për origjinën e saj shqiptare teksa tregon vështirësitë me të cilat është ndeshur në Itali dhe mënyrën si i ka kapërcyer ato me sukses.
Më poshtë, intervista e Sindi Manushi për mediat e huaja:
Pyetje: Mund të na tregosh historinë tënde? Ke ardhur në Itali që në moshën 9-vjeçare. A ndihesh italiane?
Sindi Manushi: Jam krenare për origjinën time shqiptare, por kam një kohë të gjatë në Itali dhe ndihem me të gjitha qëllimet që kam, një qytetare italiane. Unë kam jetuar gjithmonë në Pieve di Cadore, përveç një periudhe universitare në Trento, për të përfunduar studimet për drejtësi.
Pyetje: Si ishte mjedisi në Itali?
Sindi Manushi: Fillimisht i vështirë. Vijmë nga një vend shumë i ndryshëm nga Italia, nga qyteti i Elbasanit.
Pyetje: Cilat ishin vështirësitë më të mëdha?
Sindi Manushi: Përshtatja me zakonet e Pieve, gjuha italiane. Edhe në Shqipëri merret sinjali Rai dhe jam rritur me TG1. Që fëmijë kam qenë gjithmonë e apasionuar pas lajmeve dhe politikës, jam rritur edhe me Carrà-n dhe Sanremon.
Pyetje: Si u pritët fillimisht nga komuniteti?
Sindi Manushi: Banorët e Pieve duan të kuptojnë kush je, çfarë bën, duhet të të kornizojnë dhe të kuptojnë. Ne u studiuam pak, pastaj gjithçka shkoi mirë, aq sa nuk do të ndalem së falenderuari fqinjët, të cilët më ndihmuan mua dhe vëllain tim në detyrat e shtëpisë. Kur e kuptuan se ishim njerëz të ndershëm, na pritën dhe na trajtuan shumë mirë.
Pyetje: Si i ke marrëdhëniet me prindërit e tu?
Sindi Manushi: Kanë punuar dy-tre punë për të na mbështetur, i falënderoj. Unë dhe vëllai im ndonjëherë duhej të përvishnim mëngët.
Pyetje: E prisnit që një ditë të bëheshit kryetare bashkie?
Sindi Manushi: Nuk ishte në perspektivë. Unë kam qenë gjithmonë e apasionuar pas politikës, si një interes i pastër për çështjet publike. Por jo, nuk ishte në planet e mia. Më pas, para disa muajsh lindi kjo ide dhe ne lindi “Pieve futuro”. Unë shoh në Pieve, një strukturë sociale të testuar nga pandemia. Kemi humbur disi sensin e komunitetit dhe kultivohen më shumë individualizmat.
Pyetje: A do të vazhdosh të ushtrosh profesionin si juriste?
Sindi Manushi: Nuk do të heq dorë nga profesioni im, por sigurisht që prioriteti im do të jetë tek qytetarët.
Pyetje: A keni qenë ndonjëherë viktimë e racizmit? Në prag të votimit, dikush grisi një nga posterët tuaj elektoral…
Sindi Manushi: Më thanë jam shqiptare, jam grua, jam shumë e re. Ka pasur disa episode të pakëndshme, por në përgjithësi dua të nënvizoj gjithçka që më ka dhënë Pieve di Cadore, që është shumë. “Pieve futuro” ka lindur për të bashkuar, jo për të ndarë”.
/tvklan.al