Në garën për president të 14 Majit në Turqi nuk do të jenë katër kandidatë, por tre. Njëri prej tyre është tërhequr nga gara vetëm 3 ditë para të zhvillohet procesi zgjedhor. Kryetari i Partisë Vendlindja, Muharrem Inxhe njoftoi përmes një deklarate për mediat se nuk do të jetë më pjesë e garës. Politikani tha para gazetarëve se gjatë ditëve të fushatës e kanë shantazhuar, ndërsa orët e fundit qarkullon në rrjetet sociale edhe një material me përmbajtje erotike për të cilën Inxhe tha se nuk ka lidhje.
Ai e mori vendimin pas një takimi në kryesinë e parties, ndërsa kërkoi votat nga qytetarët për partinë të cilën e drejton. Në deklaratën e tij, Inxhe tha se u bë pjesë e garës me dëshirën që qytetarët turq të kishin një tjetër mundësi zgjedhjeje, por nuk ia doli dot. Po ashtu u shpreh se nëse opozita nuk do të fitonte më 14 maj, do të fajësonin atë ndaj tani nuk do të kenë më asnjë justifikim, deklaroi Muharrem Inxhe. Kryetari i Partisë Vendlindja u bë pjesë e garës duke grumbulluar firmat e qytetarëve ndërsa sondazhet e rendisnin të tretin me një përqindje të konsiderueshme votash.
Përkrahja që ai do të siguronte në 14 Maj mund ta zgjaste procesin deri më 28 Maj në balotazh. Tërheqja e tij nga gara shton shanset që kandidati i opozitës së bashkuar, Kemal Kilicdaroglu të fitojë zgjedhjet presidenciale të 14 Majit. Ky i fundit mësohet se e ka telefonuar Muharrem Inxhenë dhe e ka ftuar në tryezën e opozitës.
Klan News