Dy orë në mëngjës dhe dy orë në mbrëmje lëshohet ngrohja në Klinikën për Rehabilitim dhe Mjekësi Fizikale, thotë për KlanM, Drejtori Miki Fillev.
Kështu qëndron në rregulloren e spitalit thotë ai.
“Nuk e besoj se ka ndonjë pacient i cili nuk është i kënaqur, ndërsa te unë nuk ka arritur asnjë ankesë” – tha Miki Fillev, drejtor i Klinikës.
E në redaksinë e Klan M u ankuan disa pacientë të cilët deshën të mbesin anonim. Sipas njërit pacient ai ishte sëmurë për shkak të ftohtit në këtë spital.
“Dritaret nuk mbyllen, ngrohje nuk ka, kot që i bëjmë këto terapi veçanarisht për sëmundjen që e kemi. Turp është që në këtë shekull na dërgojnë aty për rehabilitim nga ana tjetër merr një sëmundje tjetër”
E dritaret e vjetra dhe fasada e vështirësojnë edhe më shumë ngrohjen në dhomat spitalore.
Për t`u shmangur kjo problematikë, sic njofton KlanM, Klinika do të rinovohet në shtator. Me mbështetje të Bankës Botërore do të bëhet sanimi i fasadës dhe do të vendosen panele fotovoltaike.
“I gjithë objekti nga jasht do të rinovohet, brenda është i rregulluar mirë. Dritaret do të ndërrohen fasada do të jetë me efikasitet energjetik dhe pishina do të ngrohet me burime të rinovueshme. Do të kemi në kulm edhe fotovoltaik” – tha Miki Fillev.
Kur do të fillojë ndërtimi?
Është planifikuar në qershor por e prolonguan. Tash do të fillojë prej më 1 shtator
Në këtë spital, sic njofton KlanM, ka 200 shtretër për pacientë të cilët kanë nevojë hospitalizimi. Për momentin, të shtrirë janë 140 pacientë të cilët për çdo ditë marrin terapinë e nevojshme për t`u rikuperuar. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Arbana Qerimi