Napoli po përgatitet që të festojë titullin e tretë kampion në historinë e tij. “Të kaltrit” duhet që të fitojnë përballjen kundër Salernitanës që është përcaktuar të luhet të dielën në orën 15:00, ndërsa Interi nuk duhet që të lejojë Lacion të fitojë në “San Siro” me takimin që nis në orën 12:30.
Autoritetet lokale kanë punuar prej muajsh për masat që do të merren për ditën e rëndësishme. Qyteti do të jetë tërësisht i blinduar, ndësa njerëzit do të futen nëpërmjet hyrjeve të kontrolluara. Makinat do të ndalohen e do të krijohet një zonë e madhe për këmbësorët.
Napoli nuk do të grumbullohet të shtunën edhe pse trajneri Spaleti e dëshiroi diçka të tillë, sepse hotelet në qytet janë të gjitha të zëna. Interesimi është i madh e klubi i “të kaltërve” është kapur i papërgatitur.
Festa duket se do të zhvillohet e gjitha në stadiumin “Maradona”, pasi frika është e madhe për incidente. Vështirë që të ketë parakalim të autobusit të lojtarëve në rrugët e qytetit. Napoli u ka bërë thirrje tifozëve që të shmangin problemet e të shijojnë festën. Por fansat e “kaltër” janë të paduruar; kanë 33-vite që e presin këtë moment.
Klan News