OKB ka bërë thirrje që ti jepet fund krizës dhe gjakderdhjes në Sudan
Rreth 100 persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 1000 të tjerë janë plagosur si pasojë e përleshjeve në Sudan të cilat kanë vijuar për të tretën ditë rradhazi. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për dhënien fund të dhunës.
Në Sudan lufta për pushtet mes presidentit de-facto, Abdel Fatah Al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamad Hamdan Daglo po shkakton dhunë e gjakderdhje.
Deri më tani rreth 100 persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të dyja palët pretendojnë se kanë kontrollin e vendeve kryesore në kryeqytetin Khartoum, ku banorët janë strehuar nga shpërthimet.
Qytetarët janë të pushtuar nga frika dhe paniku ndërsa thonë se ka patur të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime të vazhdueshme.
“Situata në Sudan është vërtet kritike. Që nga mëngjesi i djeshëm, përleshjet midis Forcave të Mbështetjes së Shpejtë dhe forcave të armatosura sudane po vazhdojnë. Siç mund të dëgjohen, të shtënat me armë janë rreth një kilometër, dy kilometra larg nesh”.
Mjekët paralajmërojnë se situata në spitale është jashtëzakonisht e vështirë dhe se luftimet po e bën të pamundur që stafi mjekësor tu ofrojë ndihmë personave të plagosur.
Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe disa vende të tjera kërkojnë që të dyja palët t’i japin fund gjakderdhjes dhe të fillojnë bisedimet për dhënien fund të krizës.
Sudani është drejtuar nga 2 gjeneralë që kur një grusht shteti përmbysi presidentin, Omar al-Bashir, në vitin 2019. Dy gjeneralët nuk pajtohen rreth mënyrës sesi vendi duhet të kalojë drejt sundimit civil.
Gazetare: Xhuana Lika