Përbën rrezik për shtetin: Hoxhës Ahmed Kalaja i ndalohet hyrja në RMV

KALAJA: LETËR DISKRIMINUESE, FAKTORI SHQIPTAR NË RMV TË JETË MË VIGJILENT

Banorët e fshatit Bojanë të Komunës së Sarajit në Shkup, vërshuan xhaminë duke pritur imamin nga Shqipëria Ahmed Kalaja për të ligjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit, njofton KlanM.

Por, ai u ndalua nga policia kufitare dhe nuk iu lejua hyrja në Maqedoninë e Veriut.

Policia në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë”, sic percjell KlanM,  e kishin mbajtur disa orë dhe ia kishin dhënë dokumentin se refuzohet hyrja, ku mes tjerash përmendet edhe arsyetimi se “përbën kërcënim për rendin kushtetues, sigurinë kombëtare, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut”.

“Para një muaji isha për të mbajtur ligjëratë dhe kisha informacione se të gjitha ndalesat janë hequr dhe emri im është fshirë nga listat. Dhe kur shkova sot mu dha ajo letra famëkeqe dhe diskriminuese” – tha Ahmed Kalaja.

Ai thotë se ndjehet i diskriminuar dhe pret që nga intitucionet të japin përgjegjësi për këtë.

“Akoma faktori shqiptar nuk ka atë vendin e duhur qe duhet ta ketë. Faktori shqiptar është i brishtë dhe se luhet mbas shpine, mbas faktorit shqiptar në këtë shtet. Duhet që faktori shqiptar në këtë shtet të jetë më vigjilent” – deklaroi Ahmed Kalaja.

Kalaja thotë se shumë herë ka pasur probleme gjatë hyrjes në Maqedoninë e Veriut por shton se edhe hoxhallarë tjerë nga Kosova dhe Shqipëria kanë pengesa për të hyrë në vend.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut për Klan Maqedoni ka deklaruar se policët kufitar për shkak të ndalesës nuk e kanë lejuar të futet në Maqedoni.

“Më datë 16.04.2023, ora 13:40 në vendkalimin kufitar në Qafë Thanë, gjatë hyrjes në vend është kontrolluar shtetasi A.K.(46) nga Republika e Shqipërisë, me veturë të tipit “Volvo” me targa të Shqipërisë. Nga kontrollet e kryera kufitare është konstatuar se në evidencën zyrtare për personin ka masë për ndalesë të hyrjes në vend” – thonë nga MPB.

Kërkuam përgjigje edhe nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e cila ka dhënë urdhërin e këtillë, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Arbana Qerimi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share