Kurti: Marrëveshja në Ohër të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa

BRNABIQ: TË FORMOHET ASOCIACIONI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që marrëveshja e fundit e arritur me Serbinë të zbatohet plotësisht dhe pa vonesa.

Ai përmes një postimi në Tuitter tha se për këtë marrëveshje në Bruksel u negociua dy vite.

“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet plotësisht. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, ka shkruar Kurti.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministres serbe, Ana Bërnabiq. Ajo, po në Tuitter, ka kërkuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Për tre ditë, më 19 prill, bëhen saktësisht 10 vjet, një dekadë e tërë, nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ne kemi pritur 10 vjet që Prishtina ta bëjë punën e saj, 10 vjet që Asociacioni i i Komunave Serbe të formohet. Bëje atë”, shkroi Bërnabiq, duke përmendur edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Kosova dhe Serbia më 18 mars në Ohër kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizim raportesh. Megjithatë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk kishte pranuar të nënshkruajë asgjë, derisa Kurti kishte shprehur gatishmërinë për nënshkrim.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share