ZGJEDHJET NË VERI – LISTA SERBE TAKON TË ENJTEN INSTITUCIONET E SERBISË
Një qytetar i komunitetit serb, Milan Jovanoviq, është plagosur mbrëmë me armë zjarri në afërsi të urës së Bistricës afër Zveçanit.
Ai ka thënë se gjithçka ka ndodhur kur po kthehej në shtëpi nga Leposaviqi dhe se nuk është i sigurt se kush e ka plagosur.
“Mbrëmë, pasi u ktheva nga Leposaviqi poshtë në Bistricë, pasi kalova nëpër postbllok, dëgjova një të shtënë dhe një dhimbje në shpatull. Nuk mund të jem 100% i sigurt se kush qëlloi, por “nuk besoj se ka pasur njeri tjetër atje përveç ushtrisë dhe policisë së tyre” – tha Milan Jovanoviq.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke i hetuar rrethanat e plagosjes, derisa tha se i plagosuri aktualisht ndodhet në Spitalin e veriut duke marrë trajtim mjekësor.
Policia njofton se nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.
Lista Serbe ka reaguar duke e dënuar fuqishëm sic thonë tentimvrasjen e Jovanoviqit që sipas tyre e kanë bërë Njësia Speciale e Kosovës.
Ndërkohë të enjten do të mbahet takimi i radhës i përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova me krerët e institucioneve të Serbisë.
Ky takim mbahet një javë para zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe ku lista serbe ka refuzuar të jetë pjesë e zgjedhjeve.
Pas këtij takimi pritet të dilet me një qëndrim të përbashkët lidhur me zgjedhje.
Mbledhja e KQZ-së ku do të diskutohej për përgatitjet për zgjedhjet në veri është shtyrë për të mërkurën.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në 4 komunat veriore do të mbahen më 23 prill.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha