Haqim Ramadani, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së dhe pjesë e “fraksionit” brenda kësaj partie apo sç ndryshe njihen “Grupi i zjarrit”, përmes një shkrimi autorial ka numëruar ngecjet e projekteve qeveritare për zonat e banuara me shqiptarë. Ramadani thotë se prej vitit 2020 sikur është vendosur një “moratorium” për investime, përcjell Klan Macedonia. Sipas tij, në vend ka regres që vështirëson jetën e qytetarëve, shikuar nga aspekti i shtrenjtimit të rrymës eëlektrike dhe produkteve bazë për jetesë.
“Mund të konstatojmë se në këto tre vite qytetarët shohin vetëm PR nga ministrat, gurrëthemele, projekte 3D por assesi nuk shohin fundin e ndërtimit të spitalit në Kërçovë, nuk shohin sallën në fshatin Çellopek apo nyjen e Bërvenicës për tu lidhur me autostradën. Për fat të keq, pacientët po na vdesin në spitalin e Tetovës, ashensorët nëpër spitale nuk punojnë dhe qytetarët detyrohen me batanije ti ngjesin lartë në kate pacientët e sëmurë. Liqeni Treska në komunën e Sarajit assesi të gjej zgjidhje nga Ministria e Ekonomisë në veçanti dhe qeveria në përgjithësi. Rruga e Shkup – Bllacë në gjatësi prej 2 km nuk i shihet fundi ndërsa promovojmë autostrada. Tetova, Gostivari dhe komunat rurale të Pollogut ende nuk kanë stacione filtruese, shkollat në vendbanimet Shqiptare janë në gjendje të mjerueshme dhe pa libra ndërsa nga ana tjetër po bisedohet për tabela elektronike, e shumë e shumë probleme tjera që qytetarët na tregojnë në takimet që në kontinuitet i realizojmë”, ka shkruar Haqim Ramadani nga Grupi i zjarrit.
Ramadani shton se ka stagnuar edhe procesi i decentralizimit fiskal që rëndon punën e komunave në realizimin e kërkesave të qytetarëve./KlanMacedonia