Digjet kafeneja e preferuar e Macron

Këshilli Kushtetues do të vendosë për reformat më 14 Prill

Një ndër kafenetë e preferuara të presidentit francez Emmanuel Macron iu vu zjarri, mes protestave që kanë përfshirë vendin për disa javë.

Videot e shpërndara në mediat sociale treguan protestuesit që hynin La Rotonde dhe filluan t’a digjnin atë. Në Paris protestuesit hodhën gurë, shishe dhe bojë ndaj policisë në La Rotonde një kafene e famshme e frekuentuar nga figura, përfshirë artistin spanjoll Pablo Picasso.

Nga ana tjetër demonstruesit hynë me forcë në zyra e BlackRock në Paris. Rreth 100 persona, përfshirë përfaqësues të disa sindikatave, u futën në katin e parë të godinës për rreth 10 minuta, duke mabjtur parulla kundër reformës.

Në aeroportin Charles de Gaulle në kryeqytet, protestuesit bllokuan një rrugë që të çonte në terminalin 1. Fluturimet nuk u anuluan, por pasagjerët u vonuan të kalonin në aeroport. Ndërkohë, në një marshim në qytetin e Rennes, policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që brohorisnin “grevë, bllokadë, Macron largohu!”.

Në qytetin perëndimor të Nantes, traktorët dhe punëtorë nga një sërë sektorësh se iu bashkuan paradës së marshuesve. Protestat në qytete të tjera kanë qenë kryesisht paqësore me mijëra që marshuan me flamuj dhe parulla të sindikatave në Marsejë, Bordo në jugperëndim, Lion në juglindje dhe qytete të tjera.

Udhëheqësit e sindikatave thanë se zemërimi i publikut ndaj reformave të pensioneve të presidentit Macron është shndërruar në një lëvizje më të gjerë punëtorësh të zemëruar për pagat dhe kushtet e tjera të punës. Macron nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të tërhiqej nga reformat e diskutueshme që do të ndryshonin moshën e daljes në pension nga 62 në 64.

Bisedimet midis drejtuesve të sindikatave dhe kryeministres Elisabeth Borne janë ndërprerë dhe ende nuk ka asnjë përparim. Sindikatat kanë bërë thirrje për greva dhe protesta të reja në 13 Prill një ditë para vendimit për reformën nga Këshilli Kushtetues.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share