324 kg kokainë në Portin e Durrësit, arrestohen në RMV 4 bashkëpunëtorë të Nazif Ajroskit

Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të mërkurë arrestimin e 4 personave në Maqedoninë e Veriut, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Nazif Ajroskit, maqedonasit i cili në Qershor të 2021 u kap me 324 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit.

Në Mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme e dënoi Ajroskin me 8 vjet burg për trafik droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se pas dërgimit për gjykim çështjes ndaj Ajroskit, hetimet vijuan, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

“Pas dërgimit për gjykim të të pandehurit Nazif Ajroski, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdoi hetimet në një procedim penal të ndarë, për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Me qëllim zbulimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal u krijua një Skuadër e Përbashkët Hetimore mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë Themelore Publike të Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Pas një hetimi të përbashkët disamujor dhe kryerjes së shumë veprimeve hetimore, në datën 03.04.2023 autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut arrestuan katër shtetas si të dyshuar për veprat penale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Nazif Ajroski në tentativën për të trafikuar përmes Portit të Durrësit të sasisë prej 324 kg e 400 gram kokainë, e sekuestruar në datën 18.06.2021”, thotë SPAK.

Shoferi Ajroski u arrestua në Portin e Durrësit në drejtimin e një kamioni të nisur nga Maqedonia e Veriut i ngarkuar zyrtarisht me hekur, brenda të cilit u gjetën dhjetëra pako me kokainë. Ato kishin paketime të ndryshme dhe logo si “Dior”, “Chicago Bulls”  apo edhe “PSG”. Për këtë hetuesit dyshojnë se shtetasi maqedonas do e dërgonte lëndën narkotike në Itali ku dhe më pas do ta merrnin porositës të ndryshëm./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share