Në Maqedoni është vështirë të merresh me art e të sigurosh jetesën nga arti. Kështu vlerësoi në emisionin 99 Minuta me Fjolla Telain, Dekani i Fakultetit të Arteve në SHKM, Besfort Idrizi.
“Tek ne nuk është e lehtë për të qenë njeri i artit e aq më tepër për të qenë njeri që do i përkushtohet artit dhe të mos merret me asgjë tjetër përveç artit. Është një lloj luksi që një i ri të mund t’ia lejojë vetes që të merret vetëm me art e të mos i interesojë asgjë tjetër. Të mos merret me punë tjera me të cilat do e siguronte mbijetesën e vet”, deklaroi Idrizi.
Sipas tij, shteti nuk kujdeset për artistët e madje ndikon negativisht në krijimin e një artisti, përcjell KlanM.
“Në çdo krizë buxheti i parë, i cili është prekur, është shkurtuar, është cunguar është buxheti për kulturë. Nëse një mesazh është dërguar dretj artistëve, ka qenë që ‘momentalisht, ju nuk na duheni’ dhe është vërtetë një mesazh shumë i gabuar, por do të thoja edhe goxha i rëndë për artistët e rinj”, deklaroi Besfort Idrizi, Dekan i Fakultetit të Arteve në SHKM.
Idrizi shtoi se studentët e artit, duke i parë të gjitha rrethanat dhe vështirësitë me të cilat përballen, ndodhen para dilemës, nëse ja vlen të merren me art apo edhe ata si të tjerët, të shohin të ardhmen e tyre larg Maqedonisë./KlanMacedonia