Peter Stano, zëdhënës i shefit të diplomacisë eruopiane, Josep Borrel Fontelles ka artikuluar shpresën e Bashkimit Europian, sipas të cilës, fryma konstruktive në dialogun Prishtinë-Beograd të mos ndikohet nga tensionet e krijuara së fundmi në veri të Kosovës.
Sipas Bashkimit Europian, është falë kësaj fryme bashkëpunimi të krijuar tre muajt e fundit, që u arrit dakortësia në parim midis Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje paraprake lidhur me rrugën për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshja e Ohrit, që ka të bëjë me zbatimin e udhërrëfyesit dhe aneksit të kësaj marrëveshje paraprake. Peter Stano është shprehur, se pritet që të dyja palët të kontribuojnë në ruajtjen e frymës së normalizimit dhe pajtimit, si dhe zbatimit e shpejtë të angazhimeve që janë marrë.
“Te dy palët janë angazhuar se do të përmbahen nga çdo veprim që do të kishte efekt të kundërt. Asnjë krizë nuk mund të zgjidhet vetëm duke rënë dakord për diçka. Ne flasim për zbatimin e marrëveshjes. Dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian është kaq i qartë dhe kaq i vendosur për të bërë presion tek të dyja palët për të filluar me seriozitet zbatimin”. ka deklaruar Stano.
Sipas Stano, është pikërisht kjo frymë bashkëpunimi që pritet të mbizotërojë nesër gjatë takimit të shefave negociatorë të Kosovës dhe Serbisë, që do mbahet në Bruksel. Shefat negociatorë do të diskutojnë mbi etapat e zbatimit të marrëveshjes paraprake mbi rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë./KlanMacedonia
Erisa Zykaj – TvKlan, Bruksel