Haaland kryeson edhe pa luajtur, Harry Kane barazon Osimhen
Fundjavë thatësire e pretendentëve për Këpucën e Artë të Europës. Mungesa në klasiken e futbollit anglez kundër Liverpool nuk lëkundi aspak pozitat e Erling Haaland në këtë garë. Sulmuesi norvegjez kryeson këtë garë individuale, me 28 gola të shënuar kur kanë mbetur edhe 10 javë kampionat. Haaland ka shkëlqyer në radhët e Manchester City, teksa ka grumbulluar 56 pikë dhe kryeson bindshëm mbi rivalët.
Thatësirë edhe për Victor Osimhen, me nigerianin që ndoqi nga infermieria humbjen e Napolit përballë Milanit. Sulmuesi mbetet kërcënimi kryesor i Haaland, pasi ka shënuar 21 gola dhe po udhëheq skuadrën italiane drejt suksesit në Seria A. Në të njëjtën kuotë u ngjit kapiteni i kombëtares angleze, Harry Kane.
Sulmuesi shënoi një gol në barazimin spektakolar që Tottenham mori në transfertën e Southampton. Kane numëron 42 pikë në këtë renditje, duke u pozicionuar në vendin e tretë. Klasifikimi vijon më pas me Kylian Mbappe, që mbetet në kuotën e 19 golave sezonal, ndjekur më pas nga sulmuesi i Lille, Jonathan David po me 19 realizime dhe Ivan Toney i Brentford me 17 gola.
Klan News