Është zbuluar një grup që ka bërë denoncimet e rrejshme për bomba

SPASOVSKI NUK NDAN DETAJE: ENDE PO SIGUROHEN DËSHMI

Është zbuluar një grup që ka bërë denoncimet e rrejshme për bomba. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski nuk dha detaje për rastin pasi siç theksoi ende po sigurohen dëshmi.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski informoi se në lidhje me denoncimet e rrejshme për bomba, është zbuluar një klaster i tërë nga vendi, të cilët janë marrë në pyetje dhe u janë marrë telefonat dhe vazhdohet drejt sigurimit të dëshmive përmes ekspertizës.

Ky është vetëm njëri nga grupet që kanë bërë denoncime për bomba të rrejshme.

“Ka një grup i cili është një klaster, përtë cilët po ndërmerren një sërë veprimtarish hetimore që janë në funksion të sigurimit të dëshmive dhe kjo është informata që mund ta ndajmë. Kur do t’i kemi dëshmitë e siguruara, kur do të dorëzojmë kallëzim penal, siç dorëzuam më 22 mars, do t’i marrim të gjitha informatat dhe atëherë të gjithë si qytetarë do të jemi rehat” – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Spasovki nuk ka ndarë detaje të tjera rreth hetimit apo për kë konkretisht bëhet fjalë, me arsyetimin se po vazhdojnë hetimet. Ai ka porositur se në lidhje me këtë temë, të ndiqen informatat që vijnë nga institucionet.

“Bëj thirrje që hetimet t’i zhvillojmë në institucione, jo në media dhe jo në opinion. Është shumë atraktive që të flitet për çdo ngjarje. Atë që e kam thënë si informacion, nuk munden tash të ndaj detaje mbi atë. Atëherë kur të mundemi të ndajmë më shumë detaje ne pjesën e hetimit, do t’i kumtojmë ato detaje dhe do të informoheni” – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm

Maqedonia e Veriut që nga muaji tetor i vitit të kaluar, përballet me denoncime për vendosje të bombave. Në shënjestër të këtyre paralajmërimeve më shumë kanë qenë shkollat fillore dhe të mesme, por edhe disa institucione tjera, përfshirë edhe Aeroportin e Shkupit, Bankën Popullore dhe qendrat tregtare. Muajin e fundit, vendi ndryshoi protokollet dhe pas kësaj, nuk ka pasur pothuajse asnjë informatë për denoncime të reja për bomba. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share